Pushime me kosto të ulët, atëherë shkoni në Shqipëri, Maldivet e Europës. Ky është artikulli që “Sky TG 24” sugjeron për italianët, duke i këshilluar të vizitojnë 10 plazhet më të bukura në rivierën joniane dhe atë të Adriatikut.
Ndonëse ende një destinacion jo shumë i eksploruar nga turistët, artikulli thotë se Shqipëria ofron plazhe të virgjëra me ujëra turkeze dhe blu të kristaltë, si ato në Maldive, duke renditur në krye të listës plazhin e Drimadhesit. Italianët ftohen që të mos humbasin një ndër atraksionet më të bukura.
I shtrirë përgjatë bregdetit jonian, Drimadhesi ofron jo vetëm plazhin e mrekullueshëm me rërë të imët, guralecë të bardhë, ujë blu të thellë, ullishte pafund, klube moderne, bare dhe restorante të shumtë, por edhe mundësi për të apasionuarit e kampingjeve, si dhe produkte bio të zonës.
Dhërmiu këshillohet si një tjetër destinacion, i fshehur mes një vargmali dhe detit me ujë blu. Një tjetër mrekulli e rivierës joniane janë edhe Ishujt e Ksamilit, të cilat Sky TG24 i krahason me Karaibet.
Jo më pas qëndron edhe plazhi i Gjipesë, si dhe ai i Borshit, që sipas medias italiane përveç mrekullisë së natyrës ofron aktivitete të shumta lundrimi dhe jetë nate.
Bregdeti i Sarandës, si dhe ai i Vlorës janë të tjera destinacione joshëse për turistët vendas e të huaj, duke ofruar gjithçka, nga hotelet, restorantet dhe jeta e natës.
Në Adriatik, Velipoja e Shëngjini janë dy destinacione për t’u vizituar nga turistët italianë jo vetëm për plazhet e pastra, por edhe çmimet e arsyeshme që ofrojnë, përfshi këtu një sërë aktivitetesh ujore; si sërfi, kajaku dhe zhytja.
Gjiri i Lalzit rekomandohet për rërën e imët e të butë, ujin e pastër dhe pamjen piktoreske që ofrojnë kodrat të cilat e rrethojnë me halorë.