Skuadra shqiptare e Deçiçit të Tuzit, ka shkruar historinë duke u shpallur për herë të parë kampione në elitën e futbollit malazez.
Djemtë e trajnerit Milorad Pekoviç, siguruan titullin kampion në javën e parafundit, teksa mposhtën Sutjeskan në transfertë me rezultatin 0-1, duke hapur një faqe të re në futbollin malazez. Skuadra shqiptare e komunës se Tuzit, ka kryesuar kampionatin gjatë gjithë sezonit dhe në fund arriti të fitonte.
Në një kronikë të realizuar në Janar, në Top Channel, presidenti Pal Dreshaj dhe lojtarët shqiptarë premtuan se do të shpallen kampion për të ngritur lart emrin e shqiptareve pavarësisht se kundër kishin të gjitha ekipet, ndërhyrjet politike dhe faktorët e tjerë antishqiptarë.
Ekipi i Tuzit, 4 vite me parë ishte në ligen e 2 në fund të tabelës por me shpalljen e Tuzit, komunë ekipi u ngrit në ligen e parë. Me ngjitjen në elitën e futbollit malazez, i gjithë komuniteti i mërgimtarëve në Amerikë, kontribuoi financiarisht për Deçiçin. Të shtunën do të zhvillohet edhe ndeshja e fundit ku do të festohet zyrtarisht edhe titulli i parë kampion, i një ekipi shqiptar në Malin e Zi.