Kryetari i PD dhe opozitës Lulzim Basha ka deklaruar sot se menjëherë sapo opozita të vijë në pushtet do të ndryshojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ndonëse nuk e ka parashikuar në programin e PD për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, të cilin e prezantoi një javë më parë publikisht, kreu demokrat nuk ka munguar që një lajm të tillë ta paralajmërojë në takimin me përfaqësues të Shoqërisë Civile.
Basha nuk ka sqaruar detaje se në cilët elementë do të preket Kushtetuta e cila jo më larg se 6 muaj më parë u ndryshua për të implementuar ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor për hapjen e listave të zgjedhësve dhe implementimin e marrëveshjes së 5 qershorit.
“Shumë shpejt, brenda këtij viti do t’iu përvijojmë shqiptarëve horizontin e një kushtetute të re. Horizontin e një kushtetute të re e cila të japë zgjidhje afatgjata për mos përqendrimin e pushtetit, për ndarjen dhe balancimin e pushtetit, për ‘trias politica’, për pavarësinë e institucioneve të pavarura, për fuqizimin e institucioneve, dhe dobësimin e influencës në kuptimin malinj të fjalës, politike mbi institucionet.
Padyshim që do të jetë një ushtrim kombëtar që duhet të na përfshijë të gjithëve, kundërshtarin tonë politik nesër në opozitë, shoqërinë civile dhe ekspertizën ndërkombëtarëve për t’i dhënë shqiptarëve një tjetër kornizë të lojës kushtetuese ku të mos ketë më xhepa për autoritarizëm, abuzivizëm, apo për t’i dhënë goditje vdekjeprurëse kolonave të kontrollit të pushtetit”, deklaroi Basha publikisht sot.
Çka tregon se një lëvizje e tillë e partisë më të madhe të opozitës ka qënë e kuadratuar që në krye të herës, pavarësisht se ditën e sotme ndoshta Bashës i ka “shpëtuar” para kohe një vendim i tillë.
Po ku e konteston Kushtetutën opozita dhe krerët reale të saj Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët nuk e kanë fshehur qëllimin e tyre për të bërë ndryshime thelbësore në aktin themeltar të shtetit.
Burime brenda PD bëjnë me dije se ka pasur një presion të jashtëzakonshëm mbi Lulzim Bashën nga ana e Sali Berishës dhe Ilir Metës për të përfshirë në axhendën e opozitës dhe për ta implementuar nëse vijnë në pushtet ndryshimin e Kushtetutës në pikat që bën fjalë për Reformën në Drejtësi, procesin e Vettingut dhe Kodin e ri Zgjedhor.
Dhe Lulzim Basha ditën e sotme, me deklaratën për ndryshimet në Kushtetutë, ose i ka shpëtuar lajmi ose e ka dekonspiruar me vetëdije skenarin që Berisha e Meta po i imponojnë për zhbërjen e Reformës në Drejtësi, Vettingut dhe të Kodit të ri Zgjedhor.
Berisha dhe Meta kanë qënë që në krye të herës kundër Reformës në Drejtësi e në veçanti ligjeve që kanë rrjedhur prej kësaj reformes për implementimin e saj dhe të Vettingut, duke akuzuar madje dhe partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA e BE se e kanë hartuar posaçërisht për të favoriziar Ramën dhe goditur liderët e opozitës he Presidentin.
Madje Meta ka një paranojë në këtë drejtim, teksa e cilëson reformën në drejtësi si një makinacion të Ramës dhe ndërkombëtarëve për ta futur atë në burg.
Për këtë qëllim që në vitin 2016, Meta kërcënoi Ramën me prishjen e qeverisë, vetëm e vetëm që ta bllokonte miratimin e saj në Parlament, mbështetur dhe nga PD e kryesuar nga Berisha-Basha.
U deshën “sms”-të e ambasadorit amerikan të asaj kohe Donal Lu në telefonin e çdo deputeti dhe paralajmërimet e herëpashershme të tij, që reforma në drejtësi të votohej në Kuvend me 140 vota. Një rast i paparë ky.
Por, megjithëse kanë hedhur votën unanime për reformën në drejtësi, Meta dhe Berisha nuk u pajtuan asnjëherë me të, as me Vettingun, duke u përpjekur ta bllokojnë e zvarrisin deri në fund.
U kërkua opinioni i Komisionit të Venecias dhe për më tepër u bllokuan shumë ligje për implementimin e saj që kërkonin shumicë të cilësuar, duke bashkangjitur dhe bllokimin e Vettingut.
Ndërkohë që akuzonin Ramën se përmes Reformës në Drejtësi dhe Vettingut kërkon të kapë drejtësinë e re për të goditur kundërshtarët politikë.
Meta, Berisha, si dhe Basha pas tyre më se njëherë që nga viti 2016 kanë kërkuar ndryshimin e termave të Reformës në Drejtësi, Vettingut, me argumentin se po largon të gjithë gjyqtarët e prokurorët dhe prokuroria e gjykatat kanë pushuar së ekzistuari.
Si shembull pëerdornin Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, institucione këto që mbeten me nga një anëtar, pasi pjesa tjetër nuk mundi të justifikojë pasurinë e venë në mënyrë abuzive.
Madje PD depozitoi në Kuvend dhe një iniciativë për ndryshimin e Kushtetutës, pikërisht në elementët bazë të saj, Reformën në Drejtësi, ndryshim i implementuar në korrik 2016.
Mazhoranca e refuzoi një iniciativë të tillë, teksa Rama deklaroi se “PD të shkojë të marrë mbështetjen e SHBA dhe BE dhe pastaj hajde të diskutojmë. Ndërkohë që Shqipëria ka partner SHBA-të dhe BE-në dhe kjo reformë pa ta nuk ishte kurrë nuk ishte e mundur sepse ishin ata që ua futën këmbët në një këpucë dhe kërkojnë të kthejnë përmbys një proces që nuk ndalet. LSI-ja kësaj radhe doli haptazi dhe jo duke hedhur gurin me qetësi dhe fshehur dorën me dashuri”.
Krerët e opozitës nuk rreshtën se propozuari Ramës ndryshimin e Reformës në Drejtësi dhe ligjit të Vettingut për të përfshirë dhe opozitën përmes një Këshilli Politik që do ta bënte ndryshimet në Kushtetutë.
Me sa duket një skenar i tillë që po përvijohej nga Meta, Berisha e Basha, solli shqetësim tek partnerët ndërkombëtarë, në momentin kur po diskutohej me opozitën jashtëparlamentare për arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore.
Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim bëri një reagim të fortë në Tëitter, ku parlajmëroi për mundësinë e një marrëveshje të fshehtë mes palëve për të “vrarë” reformën në drejtësi. Ambasadorja tha se, shpreson që këto fjalë të mos jenë të vërteta ndërsa e konsideron reformën në drejtësi si të dhimbshme, të ngadaltë, jo perfekte por të nevojshme për Shqipërinë.
“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, ka deklaruar ambasadorja amerikane në një reagim në Tëitter.
Një deklaratë kaq e fortë nga ambasada amerikane ka ardhur në një kohë kur SHBA është investuar për reformën në drejtësisë prej më shumë se 4 vite. Qëndrimi zyrtar i ambasadores Kim vuri në pikëpyetje një marrëveshje të mundshme mes partive politike në Shqipëri, për të mos i dhënë drejtësisë forcën e duhur për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Kryeministri Rama ka reaguar menjëherë pas kësaj deklarate, teksa ia bëri të qartë Presidentit Ilir Meta se nuk do të ketë pazar në kurriz të reformës në drejtësi.
“Reforma në drejtësi, as nuk negociohet, as nuk diskutohet, vetëm mbështetet dhe duhet të jetë shumë e qartë që unë personalisht e di që ka shkolla të ndryshme mendimi në lidershipin e PS, nuk kam disponim minimal për asnjë lloj marrëveshjeje politike për të ndenjurat e politikanëve dhe për asnjë lloj marrëveshjeje politike që rrezikon ose mund të rrezikojë potencialisht, të pengojë drejtësinë të merret me këdo që mund të jetë subjekt i drejtësisë, qoftë djathtas, qoftë majtas, qoftë në mes, qoftë lartë, qoftë poshtë, qoftë këtu brenda, qoftë jashtë kësaj salle”, deklaroi Rama në atë kohë, në forumin më të lartë socialist.
Me sa duket, shqetësimi ndërkombëtar për tentativën e arritjes së një marrëveshjeje për reformën zgjedhore në kurriz të reformës në drejtësi ka qënë i adresuar tek Ilir Meta. I cili në fillim e injoroi një akuzë të tillë, ndërkohë që vetëm pak ditë më paraqiti platformën prej 14 pikash për zhbërjen e reformës në drejtësi dhe të Vetttingut.
Meta kërkonte plotësimin e vakancave në Kushtetuese dhe mosndryshimin e formulës së betimit, të cilin Kushtetuta e ka të përcaktuar se bëhet te presidenti.
Ajo që binte lehtë në sy ishte fakti se Ilir Meta kërkonte një tjetër këshill politik dhe kësaj here për reformën në drejtësi, ku të jetë edhe opozita, sipas praktikës së vendosur me këshillin politik të reformës zgjedhore.
Sipas Presidentit, propozimi “për ngritjen e një Këshilli Politik ku duhet të bëhet me konsensus unanim çdo ndryshim ligjor e kushtetues në lidhje me reformën në drejtësi” si dhe që “ky Këshill të zgjedhë me mirëkuptim kryenegociatorin për antarësimin në BE”.
Struktura e këtij Këshilli sipas tij, duhej të ishte e ngjashme me atë për Reformën Zgjedhore, si një institucion që anashkalon parlamentin, duke qenë ai vendimmarrrësi kryesor.
Në Meta konfirmoi në atë kohë se për këtë platformë nuk ka patur asnjë reagim nga subjektet politike, por kryeministri Rama mohoi që ta kishte marrë ndonjëherë këtë platformë, por shprehu gadishmërinë të takohej me opozitën dhe me partnerët e Reformës në Drejtësi.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Yuri Kim e cila nuk u ftua në ‘prezantim’ nga Meta, tha se reformat zgjedhore dhe ajo gjyqësore janë të nevojshme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe se këto të dyja nuk janë për të bërë pazare.
Ajo theksoi se SHBA dëshiron që Shqipëria të jetë një aleat i fortë i saj dhe pjesë e familjes europiane, por këto nuk mund të arrihen pa kryer reformën zgjedhore dhe atë gjyqësore.
“Reforma zgjedhore dhe ajo gjyqësore janë domosdoshmëri dhe ka ardhur koha të rreshtet së bëri lojëra. Është koha që të realizohet Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore, ashtu sikurse udhëheqësit i kanë premtuar popullit shqiptar dhe një drejtësi ashtu si SHBA dhe populli shqiptar presin” , tha zonja Kim.
Teksa ra plaforma prej 14 pikash e propozuar nga Meta për zhbërjen e reformës në drejtësi dhe të vettingut, vetë Presidenti, LSI, Berisha dhe lidershipi i opozitës vijuan sulmet ndaj drejtësisë së re, duke e akuzuar se nuk po ndërmerr asnjë hap për luftën ndaj korrupsionit dhe se është palë me qeverinë e Ramës. Madje akuzat vijuan dhe ndaj ambasadorëve që po mbështesin një dështim
Dhe shansi i fundit për të zhbërë Vettingun ra, pasi Strasburgu rrëzoi kërkesën e ish anëtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, për të revokuar vendimin e institucioneve të Vettingut që e shkarkuan nga detyra!
Me sa duket “shansi” i vetëm ka mbetur 25 prilli për opozitën, që në rastin e një fitoreje të mundshme të zhbëjnë reformën në drejtësi, vettingun por dhe kodin zgjedhor, përmes ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga Basha! Të presim!/TemA