Para tre muajsh, policia e Tiranës arrestoi Arben Meskutin, personazhin më të lakuar dhe akuzuar në Shqipëri për mashtrimet me mikrokredi.
Lajmi i bujshëm mori vëmendje të shtuar në media për vetë faktin se, Meskuti më në fund u kap nga shteti dhe do jepte llogari para drejtësisë, për qindra ndoshta mijëra viktimat e skemës së tij dhe asaj që njihet si “banda MCA-ADCA”.
Lajmet mediatike u përplasën brenda të njëjtës fabul: se si Meskuti u arrestua në shtëpinë e tij, në momentin që po tentonte të largohej nga Shqipëria me pasaportë false amerikane. Lajmet u fashitën për tre ditë…ndërsa “shqiptaro- amerikani” vazhdoi punën i qetë dhe i lirë duke përqeshur median dhe mijëra të “burgosurit” mikrofinanciarë të MCA-ADCA.
“Dita” u interesua pranë autoriteteve policore dhe u informua se, “Arben Meskuti ishte ndaluar dhe më pas proceduar duke u referuar në prokurori pasi dyshohej se përdorte një pasaportë falco amerikane”. Në Prokurorinë e Tiranës, çështja mbetet në hetim dhe hermetike si shumë të tjera ndaj “klientit” vip të drejtësisë shqiptare, Arben Meskuti.
Shpesh media akuzohet se bën hetim dhe jo raportim. Merr punën e organit të akuzës që duhet të punojë me qetësi dhe mbështetur mbi të vërtetën që të jep prova. Po kur akuza fle gjumë mbi fakte dhe prova publike, media duhet të heshtë?
Faktet publike të gjetura nga redaksia nga kërkimi online pa pagesë në USA (radaris) dhe në Shqipëri (QKB) tregojnë se Arben Meskuti është 42 vjeç në Amerikë, dhe 44 në Shqipëri. USA ka ekspozuar “amerikanin” Meskuti në moshë më të re, përballë biznesmenit dy vjet më të pjekur, që paraqet QKB-ja shqiptare.
Transaksionet dhe kontratat për shit-blerje kuotash kapitali dhe aksionesh të shoqërive “Albanian Debt Collection Agency” me Nipt K92012006Q, “Shërbimi Përmbarimor Zig” me Nipt L02110003A dhe “Final” me Nipt K81311012P, nxjerrin identitetin e saktë të “amerikanit” Meskuti.
Figuron se ai ka lindur në datën 6.10.1978 dhe identifikohet me kartën e identitetit shqiptare me nr. 033812213 dhe nr. personal H81006117C. Me këtë identitet “amerikani” Meskuti ka blerë plot 1 milion $ shoqërinë mikrofinanciare “Final”, nën akuzë se po mashtron çdo ditë shqiptarët.
Shitja e “Final” nga “Iutecredit” dhe anasjelltas është një aferë më vete, me transaksione të dyshimta. Sipas të dhënave të QKB, aksionet e “Final” u shitën te “Iutecredit” në vlerën 192,000,000 lekë, pra 2 herë më tepër se kapitali aksioner prej 100,000,000 lekë. Në 13 Maj 2019, pas 11 muajsh që e bleu, Iutecredit ia shet Final-in Arben Meskutin për 100,000,000 lekë.
Pra, e njëjta kompani, në harkun kohor të 11 muajve, blihet dhe shitet për një diferencë prej 142,000,000 lekë. Në Shqipëri është vështirë të hetohen këto transaksione, edhe nëse janë kaq publike në shifra dhe dokumente.
Ndërsa “shqiptari” Meskuti blinte një kompani të fuqishme mikrofinanciare, ai ishte nën hetim penal për shumë afera me shoqërinë “Zig” dhe “ADCA”. Në të njëjtën kohë, shoqërinë famëkeqe përmbarimore “ZIG” ai ia shet mamasë, sipas dokumenteve që tregon QKB, edhe pse shoqëria kishte borxhe në tatime.
Administrata tatimore “kërkoi” me zell dhe sekuestroi në QKB për detyrimet e papaguara kompaninë “ZIG”, që tashmë figuron në emër të një pensionisteje pa para dhe aktivitet, kur i biri, pasi bleu një biznes 1 milion dollarësh, bën biznesmenin që nuk i hyn gjëmb në këmbë, si në Shqipëri, ashtu dhe në Amerikë.
“Dita” ka denoncuar dhe ekspozuar publikisht, aktivitetin në fushën e mikrokredive të shtetasve Arben Meskuti dhe Olsi Ibro, të cilët së bashku, nëpërmjet një zinxhiri të lidhur njerëzish brenda familjeve, kanë krijuar një skemë me elementë të qartë mashtrimi, skemë e cila ka prekur mijëra shqiptarë në pesë vitet e fundit.
“Dita” publikoi para dy vitesh katër artikuj që lidhen me mega-skandalin “Meskuti-Ibro”. U sollën fakte, dëshmi dhe prova të përmasave shumë të rënda, se si mekanizmi mashtrues gëlltiste viktima të përditshme pa asnjë problem, në mes të Tiranës, brenda Qendrës së Biznesit “Star” pranë ish selisë së gazetës “Zëri i Popullit”.
Skema e krijuar përfshinte, dhe ekspozoi pafuqinë e shtetit shqiptar për të reaguar në mbrojtje të pjesës më vulnerabël të shoqërisë, shtresës së varfër, rinisë, familjeve të reja, komuniteteve të tëra që jetonin në periferi apo fshat.
Skema me dirigjim të Micro Credit Albania / MCA dhe ADCA ka gëlltitur me miliona euro troje, kullota, magazina, shtëpi banimi, para dhe pasuri të qytetarëve këto pesë vite. Protagonistë janë pikërisht shtetasit Arben Meskuti dhe Olsi Ibro, të cilët së bashku sfiduan hapur shtetin dhe sistemin e drejtësisë, duke krijuar një rrjet kompanish që nuk kapeshin dot në “faj”: Final, Micro Credit Albania (MCA), ADCA, Consulting Company, ZIG, FLASH, FS, të gjitha të kontrolluara dhe drejtuara nga klani familjar Olsi Ibro, Elda Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Çuberi, Indrit Çuberi, Bledi Sena, Aksinja Sena, Alban Kote.
U prit dy vite reagimi i shtetit, i prokurorisë, i organeve ligjzbatuese që kishin gjithë kohën e mjaftueshme për t’i dalë në fund kësaj skeme që ka masakruar ekonomikisht me qindra familje shqiptare. Prokuroria e Tiranës dhe SPAK kanë dy vite që bëjnë ping-pong me megaskandalin e kallëzuar në shkurt 2020 edhe nga Ministria e Drejtësisë.
Prokurorë të kapur nga “skema”, apo prokurorë që nuk kanë kurajo të hetojnë? Kjo pyetje ka nevojë për përgjigje. Ngjarje të dhimbshme kanë ardhur dhe janë treguar në redaksi pas botimeve të para. Ka njerëz që mund të jenë vetëvrarë nga kjo skemë.
Investigimi i kësaj historie do shkojë deri në fund, si një detyrim ndaj qindra telefonatave, e-maileve dhe njerëzve të ardhur në redaksi për të dëshmuar.
“Qendra Star” tashmë është zhvendosur pranë ish stacionit të Trenit në Tiranë, në një grumbull pallatesh që quhen “Usluga”. Aty MCA-ADCA-FINAL etj kanë krijuar “Qendrën e Biznesit Usluga”. Të gjitha zyrat e të gjitha kompanive janë dhënë me qera nga një ish deputet i Partisë Socialiste, Sadri Abazi. Në skemë dyshohet se janë perfshirë edhe persona me pushtet politik si dhe të tjerë në sistemin gjyqësor.
Zyrat e pritjes në “Qendrën e Biznesit Usluga”, janë tortura moderne e dhjetëra hallexhinjve shqiptarë, që përplasen aty çdo ditë. Dëshmi tronditëse vijnë nga njerëzit që mendojnë se MCA-ADCA-FINAL janë vetë shteti, i cili sheh vetëm disa metra më tej me syrin e SPAK.
Një pyetje publike para botimit të dëshmive të njerëzve për Prokurorinë dhe Bankën e Shqipërisë: A jeni në dijeni se çfarë pasojash kanë shkaktuar në popull personat që kanë krijuar zyrat pa logo në “Qendrën e Biznesit Usluga”?
Për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, nuk duam të besojmë që “amerikani” Arben Meskuti të ketë lindur dy vite më shpejt në USA dhe më pas ka ardhur për të rilindur përsëri dy vite më pas, në Shqipëri…/Dita