Një skemë mashtrimi që ofronte mundësi ose bursa për të vijuar studimet në SHBA u zbulua pas një hetimi të nisur nga Departamenti i Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me zyrtarë të zbatimit të ligjit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Në kuadër të këtyre hetimeve Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për ushtrimin e kontrollit në banesën e një zyrtare të një zyre arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Dyshohet se ajo në bashkëpunim me një mikëshë të saj dhe me persona të tjerë që janë nën hetim kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Hetimet po vijojnë edhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
Për këtë rast reagoi dhe Ambasada e Shteteve të Bshkuara të Amerikës në tiranë nëpërmjet një postimi në Facebook, ku theksoi se ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet amerikane arsimore ose personelin e ambasadës. Po ashtu ambasada u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. po ashtu Ambasada fton këdo të denoncojë nëse haste me dikë që në mënyre të gënjeshtër e paraqet veten të lidhur me këtë ambasadë.