Gjatë procesit të hetimit, gjurmimit, përgjimit telefonik e ambiental, në kuadër të aferës ish-kompleksi “Partizani” e ndërtimit atje, të 20 kullave nga Jamarbër e Argita Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë konstatuar një tjetër element për pastrim parash nga ky grup.
Sipas informacionit, dhëndri i Sali Berishës, është shfaqur si investitor dhe ortak me 35% të sipërfaqes ndërtimore, te kompleksi i banimit “Mangalem 21” me 34 pallate te zona e “Ali Demit”, ndërsa 65% i ka biznesmeni Fatmir Bektashi me një grup rusë, kosovarë e austriakë.
Skeda më të dhënat e përgjimit, i është dorëzuar SPAK-ut para 7 muajsh, por ende nuk ka filluar një hetim i thelluar e procedim penal për pastrim parash, megjithëse në TV-Klan gjëmon reklama e shitjes së apartamenteve në këtë kompleks, tamam si reklama e “Bana King”.
Përgjimet për ish-kompleksin “Partizani” ku u ndërtuan 20 kulla; rastësisht, kanë zbuluar se Jamarbër e Argita Malltezi dhe Fatmir Bektashi, janë të lidhur me ortakëri edhe te ndërtimi i 34 pallateve në kompleksin “Mangalem 21 te zona e “Ali Demit”.
Ka disa prova: në bisedat mes Malltezit e ortakut Fatmir Bektashi, flitet për pjesë investimi e fitimi nga shitja e apartamenteve e njësive tregtare dhe për burimet e financimit dhe detyrimit, disa prej të cilave janë me origjinë jashtë Shqipërisë e me emra të koduar.
Ndërsa në bisedat e dhëndrit të Sali Berishës me agjentë e agjenci shitjesh, konfirmohet ortakëria e tij me 35% të investimit, te kompleksi i pallateve “Mangalem 21” në Tiranë, madje dhe debate në lidhje me paqartësitë në ndarjen e sipërfaqeve e normës së fitimit, në 3 kullat e ndërtuara më 2020-2021 te ish-kompleksi “Partizani”.
A do ta hetojë SPAK, dhëndrin e Sali Berishës dhe ortakun e tij ndërtues Fatmir Bektashi, për pastrimin e parave te kompleksi ”Mangalem 21” me 34 pallate, për të zbuluar burimin e 107 milionë Euro investim që thuhet se është bërë atje?
Ligjërisht e procedurialisht, këto prova, SPAK duhet t’i përfshijë në dosjen “Malltezi- Berisha” të grabitjes së truallit te ish-kompleksi “Partizani”, ku janë të përfshirë ish-ministrat Genc Ruli e Arben Imami dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi?
Në të kundërt, SPAK ka detyrim të fillojë hetim të veçantë për pastrim parash, me ndërtim 20 kullash te ish-kompleksi “Partizani” e 34 pallate te kompleksi i ri banimit “Mangalem 21”.
Sepse si Jamarbër Malltezi dhe ortaku i tij Fatmir Bektashi, kur ka nisur ndërtimi i kullave e pallateve të dy komplekset, kanë deklaruar në ILDKPI e QKB nga 2% e 4% të vlerave të investimeve përkatës.
Saktësojmë, se Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi janë ortakë me 75% të firma “Homeplan Sh.p.k”, ndërsa te firma “Kontakt Sh.p.k”, Malltezi ka aksione ilegale./Pamfleti