Presidenti i Italisë Mattarella ka firmosur më në fund pas disa muajsh hezitimi Dekretin për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Falimentimin e Bankave Italiane. Ky Komision Hetimor Parlamentar u kërkua me shumë insistim nga ana e “Movimento 5 Stelle”, që është edhe partia që ka më shumë Deputetë dhe Senator, duke u mbështetur edhe nga ana e Lega Nord e Salvinit.
Në krye të këtij Komisioni Hetimor Parlamentar, “Movimento 5 Stelle” ka projektuar Gianluigi Paragone, Senatori i kësaj force politike, i cili është përfshirë se fundmi në cështjen e aksionerëve të dy bankave të falimentuara të Rajonit Veneto, Banca Popolare di Vicenza dhe Veneto Banca.
Hetimet që ky Komision Hetimor Parlamentar i përbërë nga 20 Senatorë dhe 20 Deputetë Italianë, do të përqëndrohen tek shkaku që solli falimentimin e bankave në Itali. Kujtojmë se dy vite më parë një tjetër Komision Hetimor Parlamentar Casini trajtoi pa sukses këtë çështje mjaft të nxehtë në Itali. Ndaj aksionerët e bankave të falimentuara në Itali presin me padurim zbardhjen e fakteve të cilat kanë qenë fatale për shumë klientë të këtyre bankave të falimentuara, mes të cilëve ka patur edhe vetëvrasje për dëmin financiar të shkaktuar.
Gianluigi Paragone njihet si një politikan karizmatik në Itali pasi ai vjen nga një karrierë e suksesshme mediatike. Së fundmi Senatori Paragone ka zgjedhur të bëj opozitarin ndaj Ministrit të Financave Tria, i cili ende nuk ka firmosur Dekretin për Rimbursimin e klientëve të bankave të falimentuara nga Fondi Shtetëror i Kursimeve.
Por hetimet e këtij Komisioni Parlamentar Italian do të shtrihen edhe në Shqipëri, pasi një prej bankave të falimentuara është edhe Veneto Banka sh.a., tashmë e përthithur në vlerën simbolike 1 euro nga ana e Intesa Sanpaolo Bank. Procesi i falimentimit të detyrueshëm të Veneto Banca në Itali duket se nuk u kuptua edhe qartë teknikisht nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurencës, të cilat janë përgjegjëse kryesore për procesin post-falimentim i Veneto Banka në Shqipëri. Duhet nënvizuar fakti se shumë klientë të kredituar nga ana e Veneto Banka në Shqipëri kanë depozituar pranë Gjykatave në Shqipëri, zhdukjen e kredive të tyre nga sistemi i Regjistrit të Kredive pranë Bankës së Shqipërisë të cilat rezultojnë me status “të shitura”. Po kujt i janë shitur këto kredi, institucioni i Bankës së Shqipërisë nuk pranon të prononcohet për këtë proces të dyshimtë në dëm të klientëve të kredituar nga ana e Bankës Veneto në Shqipëri.
E njëjta situatë edhe në Regjistrin e Hipotekës ku pronat e shqiptarëve të lëna si garanci hipotekore pranë Veneto Banka, rezultojnë të kenë fluturuar drejt Italisë në një Shoqëri Përmbarimore Italiane, SGA spa. Kjo ndoshta edhe me miratimin e Bankës së Shqipërisë që duket se ka dhënë OK që kjo Shoqëri Përmbarimore Italiane të ushtrojë aktivitetin e saj përmbarimor në Shqipëri.
Po për këtë proces, Ministria e Drejtësisë ku janë drejtuar klientët e Veneto Banka preferon të mos japë shpjegime duke i udhëzuar klientët t’i drejtohen Gjykatës Shqiptare. E gjitha kjo është një procedurë mjaft e dyshimtë, në dëm të klientëve shqiptarë të Veneto Banka sh.a. Ndërkohë bëhet e ditur se klientët e Veneto Banka kanë filluar kontaktet e tyre me Zyra Avokatore në Itali për të denoncuar këtë padrejtësi, si pasojë e një mungese informacioni nga ana e Institucioneve Shqiptare, përgjegjëse direkt për dëmin e shkaktuar ndaj klientëve të Veneto Banka në Shqipëri.
Pra Komisioni Hetimor Parlamentar Italian për Bankat e Falimentuara duket si një rreze drite shprese për italianët, klientët e këtyre bankave por edhe për shqiptarët që kanë humbur kreditë e tyre tek Veneto Banka sh.a. në Shqipëri.
Lexo likun e plotë në gjuhën italiane:
https://www.vicenzapiu.com/leggi/veneto-banka-albania-intesa-sanpaolo-sga-bankileaks/