Kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberi nuk ngurron që të favorizojë kushëririn e tij të parë për tenderët e zhvilluara nga bashkia që ia drejton.
Kryebashkiaku socialist rezulton se ka vepruar në konflikt interesi për firmën fituese Vllaznimi shpk për “Rikonstruksion i kanalit vaditës Ahmataj-Sopot, (Vepra e marrjes), Bashkia Tropojë”. Ky prokurim me tender në vlerën e 1 847 831lekëve pa TVSH, ku në nëntor është shpallur fitues Vllaznimi shpk, që ka për pronar të vetëm, si dhe njëherësh administrator, Bashkim Byberin.
Sipas informacioneve të Gazeta “Shqip”, Bashkim Byberi është djali i xhaxhait të kryebashkiakut socialist. Pavarësisht këtij konflikti të pastër interesi, kjo nuk e ka ndalur kreun e bashkisë së Tropojës që të firmosë këtë kontratë me firmën Vllaznimi në 5 nëntor të këtij viti.
Gazeta “Shqip” ka mësuar se në këtë procedurë prokurimi morën pjesë dy operatorë ekonomik, pasi u bë vlerësimi përfundimtare i ofertave dhe ju dërgua njoftim fituesi operatorit Griald shpk Nipt J68117216C me vlerë 1 270 840 leke në datën 9.10.2020. Në datën 13.10.2020 ky operator u tërhoq nga oferta e tij. Kjo pasi që ishte shpallur fitues me ofertën me të ulet dhe u shpall fitues operatori Vllaznimi shpk që kishte ofruar vlerën 1 819 454 lekëve.
Sakaq mësohet se firma Vllaznimi shpk ka fituar edhe tenderin e për rikonstruksionin e Ujësjellësit Dushaj Epërm. “Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë VLLAZNIMI SHPK Adresa, Tropojë, B.Curri se oferta e paraqitur, me një vlerë të përgjithshme prej 1.120.911 lekë e identifikuar si oferta e suksesshme”, thuhet në Buletinin e APP-së.
Konflikti i interesit
Sipas ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, në nenin 3 përcaktohet se “Konflikt i interesit është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike”.
“Çdo zyrtar apo çdo subjekt, që ofron informacion për rastet e konfliktit të interesave të padeklaruara nga zyrtarët, përfiton mbrojtje të veçantë administrative. Në ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, i ndryshuar janë parashikuar shprehimisht kufizime të interesave private të zyrtarit për parandalimin e konfliktit të interesit “rast për rast” për çështje të veçanta si: Ndalimi i lidhjes së kontratave; Ndalime në sigurimin e të ardhurave për shkak të funksionit të veçantë; Ndalimi i marrjes së dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale; kufizimi i interesave të personave të lidhur me zyrtarin”, thuhet në një manual të ILDKPKI-së.
Pavarësisht këtyre kufizimeve kryebashkiaku i Tropojës nuk është stepur dhe ka pranuar firmosjen e kontratës me kompaninë Vllaznimi.
Kush është Rexhe Byberi?
Pas 3 dekadash demokraci, socialistët arritën të marrin për herë të parë drejtimin e bashkisë së Tropojës dhe kjo për faktin se PD-ja nuk konkurroi në zgjedhjet e 30 qershorit i bojkotoi. Nën siglën e PS-së, kandidoi Rexhë Byberi, i cili kishte përballë kandidatin e Bindjes Demokratike, Edison Hasanaj, në bashkinë Tropojë. Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Rexhë Byberi mori 95.24% të votave në 49 kuti votimi. Kandidati i tij përballë, Edison Hasanaj rrëmbeu vetëm 4.76% e thënë ndryshe 177 vota.
Byberi ka qenë për 15 vite kryetar i komunës Margegaj si kandidat i LSI-së në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe më pas iu bashkua PS-së./Gazeta Shqip