Gjykata e Tiranës ka rrëzuar tentativat e italianëve për të rrëmbyer pronat e shqiptarëve që kanë marrë kredi te “Veneto Banka”. Gazeta prej ditësh ka denoncuar sesi falimenti i bankës italiane është bërë tërësisht në shkelje me ligjin dhe ka dëmtuar me qindra persona. Ata që kishin kredi u lanë në mëshirë të fatit dhe më pas u përballën me presione për të shlyer detyrimet.
Gazeta ka treguar sesi “Veneto Bank”, kaloi asetet te “Intesa Sanpoalo Bank”, ndërsa kreditë e këqija kaluan te SGA, një kompani me qendër në Napoli. Por kjo kompani u kontraktua të mblidhte borxhet, duke futur si kredi të këqija dhe ato ku kishte një apo dy muaj vonesa. Duke qenë se kjo kompani nuk ka akses të drejtpërdrejtë në vendin tonë, kontaktoi “Tranzit shpk” për të mbledhur borxhet.
Shumë qytetarë kanë përfunduar në gjykatë për shkak të këtyre dy kompanive, pasi ato kanë kërkuar që të sekuestrojë pasurinë e lënë kolateral. Edhe pse një kredi me 1 apo 2 muaj vonesë nuk mund të quhet e keqe, për SGA nuk është kështu. Kjo ka bërë që shumë çështje të shkojnë në gjykatë.
Dje. Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë tentativat e italianëve për të sekuestruar pronat e shqiptarëve. Një grup punonjësish dhe klientë të “Veneto Banka” kanë krijuar një faqe në Facebook, duke u quajtur Sindikata e “Veneto Banka”. Kanë qenë ata që e kanë dhënë lajmin. “Gjykata e Tiranës ka refuzuar ekzekutimin e pronave të vendosura si garanci pranë “Veneto Banka sh.a.” nga ana e klientëve të saj.
LCA “Veneto Banka sh.a është një shoqëri në faliment! Nuk mund të grabisë dot pronat e klientëve të “Veneto Banka sh.a” të vendosura si garanci hipotekore”, thuhet në deklaratën e tyre. Ky vendim rëndon akoma dhe më shumë pozitat e guvernatorit Gent Sejko. Në të gjitha marrëveshjet që janë firmosur deklarohet se Banka e Shqipërisë është ajo që ka hapur rrugën e kontraktimit të “Tranzit” dhe falimentimit të “Veneto Banka”. Pra duhej që BSH të kujdesej për klientët e “Veneto Banka”. Deri më tani tregohet se nuk ka ndodhur kështu.
Shkelja e kontratës
Sipas klientëve të “Veneto Banka”, neni 16 i kontratës shprehet qartë se banka duhet të njoftojë klientin në rast se kredia zhvendoset. Nuk ka ndodhur aspak kështu në këtë rast dhe përgjegjësia është e Bankës së Shqipërisë që duhet të sigurojë zbatimin e kontratave. Përveç kësaj, BSH është ajo që lejoi futjen e “Tranzit” dhe SGA për mbledhje borxhesh.
Por SGA ka marrë kolateralet e gjithë kredimarrësve dhe ndaj saj nuk mund të merret asnjë mas ligjore. “Po kështu i jam drejtuar edhe Platformës për Bashkëqeverisje, ku kam marrë përgjigje se subjekti italian SGA spa nuk rezulton të jetë i regjistruar fizikisht në Shqipëri dhe nuk paguan detyrime tatimore, nuk ka një seli ku të ushtroje aktivitetin e tij tregtar.
Edhe kjo një tjetër shkelje e pastër e legjislacionit shqiptar për Shoqëritë Tregtare për të përligjur atë që ka si aktivitet kryesor të tij ky subjekt privat italian që në Shqipëri kërkon të mbledhë borxhet e klientëve shqiptarë”, thuhet në denoncim.
Pra për të gjitha këto duhej të kujdesej BSH, e cila në vendimin e shkrirjes së “Veneto Banka” ngarkohet me detyrim të ndjekë me kujdes procesin. Po ashtu, punonjësit thonë se BSH ka kryer dhe inspektime, por që nuk ka marrë asnjë masë.