Mes personave të ndaluar nga Policia për këtë skandal, janë edhe emra të njohur për publikun, pasi ato janë lakuar kohët e fundit në mediat vendase, pasi janë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre edhe në Komisionin Hetimor të ngritur nga opozita për këtë çështje.
Ndër to është Ariola Kodra, Administratore e Inceneratorit të Tiranës Integrated Energy BV SPV, e cila edhe pse u thirrë disa herë në Komisionin Hetimor, nuk është paraqitur në disa seanca. Pavarësisht se u paralajmërua nga kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku se ajo do sillej forcërisht në Komision, sërish zonja Kodra nuk u paraqit në Komision.
Një nga urdhër-arrestet e lëshuar është edhe për Florian Muçën, ish-administrator i kompanisë dhe aktualisht Drejtor në kompaninë Albpetrol. Florjan Muçaj gjithashtu ka qenë Administrator i Përgjithshëm i Bashkisë Fier dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të të njëjtit qytet.
Në pranga ka rënë gjithashtu edhe Loran Dusha, me detyrë Administrator i Inceneratorit të Fierit.
Për çështjen e inceneratorëve, u ngrit një Komision i Posaçëm Hetimor ku dëshmuan disa administratorë, punonjës të këtyre impianteve si dhe politikanë. Opozita akuzon qeverinë se dëmi që ka shkaktuar afera e inceneratorëve kap shifrën e 4.3 milionë eurove, ndërkohë nga ana e saj, mazhoranca kundërshton këtë pretendim.
Deri më tani pas hekurave i akuzuar për përvetësimin e 3.7 milionë eurove ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ndërkohë janë shpallur Mirel Mërtiri, Stela Gugallja si dhe Klodjan Zoto, pronar të inceneratorëve.