Pas banorëve të Macukullit, janë ata të fshatit Barbullej, në njësinë administrative Derjan, që ankohen se shpërblimi për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i gushtit të vitit të kaluar, është dhënë bazuar në bindjet politike të qytetarëve.
Sipas banorëve të këtij fshati, janë favorizuar nga zyrtarët e bashkisë Mat vetëm ata që kanë votuar për Partinë Demokratike, ose premtojnë se do të votojnë për këtë subjekt.
“Kanë të drejtë banorët e fshatit Macukull që ankohen se dosjet e tërmtetit mbartin plot probleme. Bashkiakët e Burrelit me sa duket kanë filluar fushatën elektorale, por e kanë nisur keq atë.
“Në fshatin tonë,- shprehen banorë të Barbullejt, kanë përfituar fonde vetëm tre pleqtë e fshatit dhe të afërmit e tyre. Kanë përfituar deri në 13 milionë lekë të vjetra personat të cilët kanë pritur për vizitë drejtuesit e bashkisë dhe përfaqësues të lartë të PD-së.
Për t’u maskuar fillimisht u dhanë nga një cadër, pastaj u dhanë dhe paratë që shteti i akordoi për dëmet e tërmetit.
Ky është një skandal që duhet hetuar nga Prokuroria e Matit dhe krimi ekonomik pranë drejtorisë së Policisë Dibër. Kanë marrë miliona persona që nuk kanë asnjë dëmtim nga tërmeti i fundit dhe të tjerë që janë larguar nga fshati ka 30 vjet”, shprehen banorët.
Ata theksojnë se nuk do të lënë rrugë ligjore dhe demokratike pa ndjekur deri në zbardhjen e të vërtetës dhe vënien para ligjit të personave që kanë abuzuar më fondet e buxhetit të shtetit.