Ditën e sotme, është dhunuar për shkak të detyrës gazetari Elvis Hila në Lezhë dhe bashkëshortja e tij.
Ka qenë vetë gazetari që ka bërë denoncimin në polici. Dyshimet janë se gazetari dhe bashkëshortja e tij janë dhunuar për shkak të një lajmi të publikuar sot që ka të bëjë vendimin e Gjykatës së Parë në Lezhë në lidhje me dënimin e Fran Amerit, për veprën penale “falsifikim dokumentash”.
Ai në kallzim ka treguar se ka qenë në makinë dhe se autorët kanë dhunuar me grusht bashkëshorten e tij, si dhe vetë atë.
Policia konfirmon zyrtarisht dhunën për shkak të detyrës së gazetarit lezhian, shpallen në kërkim autorët e dyshuar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shpallën në kërkim shtetasit I.(E). A. 35 vjeç, banues në Pllanë dhe P. L. 32 vjeç, banues në Manati”.
“Këta shtetas, rreth orës 16:40, në qytet Lezhë, i kanë dalë përpara shtetasit E.H., 32 vjeç, banues në Lezhë, me profesion gazetar, si dhe e kanë dhunuar fizikisht bashkë me bashkëshorten e tij shtetasen B. H., e cila në ato momente ka ndërhyrë”.
“Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se, këta shtetas e kanë dhunuar fizikisht gazetarin për shkak të detyrës. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre”, tha policia.