Partitë kryesore politike, LSDM dhe VMRO DPMNE në mbledhjet e kryesive qendrore partiake kanë dhënë vlerësime të ndryshme mbi referendumin e së dielës, por edhe mbi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Opozita referendumin e ka shpallur të pavlefshëm duke marrë parasysh sipas saj, “daljen në votime vetëm 36 për qind të qytetarëve, që tregoi vullnetin e qartë të popullit kundër pranimit të kësaj marrëveshjeje”. Në bazë të kësaj, sipas VMRO-së, edhe marrëveshja me Greqinë për emrin është hedhur poshtë. Kjo parti ka thënë se është e gatshme për zgjedhje, por me përmbushjen paraprake të kushteve në bazë të ligjin për qeverinë.
“Nëse Zaev e ka ndërmend të shpallë zgjedhje, dua të them se ne do ta fitojmë. Për mbajtjen e zgjedhjeve është e nevojshme që menjëherë të respektohet marrëveshja dhe Ligji për zgjedhjet, që parasheh formimin e një qeverie teknike, sipas modelit të “Marrëveshjes së Përzhinës”, me një mandat prej 100 ditësh”.
“Kjo nënkupton dorëheqjet e kryeministrit Zoran Zaev, dhe të ministrave të punëve të brendshme dhe të punës e politikës sociale, Oliver Spasovski dhe Milla Carevska. Pra, zgjedhjen e një kryeministri të ri teknik dhe dy kuadro të VMRO-së të drejtojnë këto ministri, si parakusht për zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka deklaruar Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO DPMNE-së.
Kjo parti nuk mbështet ndryshimet kushtetuese të paralajmëruara nga kryeministri, Zoran Zaev.
Për dallim nga opozita, LSDM-ja në pushtet, referendumin e ka vlerësuar të suksesshëm dhe i ka bërë thirrje opozitës që të mbështet ndryshimet kushtetuese me qëllim zbatimin e marrëveshjes me Greqinë.
Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së ka theksuar nevojën që të përdoren siç thuhet, të gjitha mundësitë demokratike, që t’ju mundësohet deputetëve të ndjekin zërin e qytetarëve dhe të sigurojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
“Nëse kjo nuk është e mundur dhe VMRO-DPMNE vazhdon të pengojë të ardhmen e qytetarëve duke e shtyrë vendin në humnerë, atëherë nuk ka asnjë mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilën qytetarët do të vendosin për të ardhmen e vendit”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Për të kaluar ndryshimet kushtetuese nevojiten 80 vota të deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi, por shumica parlamentare aktualisht ka 72 deputetë. Ajo llogaritë edhe në votat e disa deputetëve të partive tjera të vogla, që janë në koalicion me VMRO-në, por për të arritur numrin e nevojshëm i duhen edhe disa vota të deputetëve të VMRO-së.
Debati për zgjedhje të parakohshme vjen pas referendumit të së dielës në të cilin nuk u arrit të kalohet pragu prej 50 për qind të daljes në votime.
Zbatimi i marrëveshjes me Greqinë është vendimtar për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.(REL)