Një tjetër deklaratë bombastike ka ardhur nga Greqia lidhur me vrasjen e ekstremistit grek, Kostandinos Kacifas, në Bularat të Gjirokastrës nga forcat RENEA. Ish-ministri i Jashtëm grek, Theodoros Pangalos, ju ka mbyllur gojën të gjithëve me deklaratën e fortë, teksa është shprehur se “Unë nuk jam pro faqezinjve, kur hedhin molotov apo sulmojnë policinë”.
Në një lidhje direkte për televizionin SKAI ai u shpreh se 35-vjeçari kishte një armë me vete dhe po qëllonte mbi policinë. Në kushte të tilla, në të njëjtën mënyrë do të reagonin edhe forcat amerikane apo skandinave.
“Ai kishte me vete një armë me vete apo jo? Unë jam i mendimit se mbi një person që mban një armë dhe qëllon mbi policinë do të veprohej njësoj edhe në SHBA apo edhe në vendet skandinave”, ka deklaruar ish-ministri Theodoros Pangalos.
Gjithashtu, ish-ministri i Jashtëm Theodoros Pangalos hodhi poshtë pretendimiet se i riu grek sapo kishte shkuar në fshat për të vënë flamunjtë por se ai kishte muaj që qëndronte dhe vepronte aty.
“Unë kam gjetur fotografi në internet nga Bularati që nga 25 marsi dhe rrugët janë plot me flamuj grekë. Pra ai kishte kohë që vepronte aty”, ka shtuar Theodoros Pangalos.