Një dukuri e pazakontë ka pushtuar Greqinë. Shteti helen është mbuluar nga reja Sahariane ndërkohë që situata është alarmante sa i përket cilësisë së ajrit.
Shërbimi Meteorologjik grek ka njoftuar se niveli i mikogrimcave në ajër është më i larti që Greqia ka patur në 10 vitet e fundit.
Stuhitë e pluhurit që vijnë nga Afrika Veriore janë të njohura për vendet e Mesdheut, dhe nën smogun e kuqërremtë të rërës sahariane gjendet shpesh edhe Shqipëria. Gjatë Marsit, vendi ynë është pushtuar dy herë nga retë e pluhurit, dhe era e ngrohtë e cila është pasuar me reshje të dendura shiu.
Bëhet fjalë për 500 mikrogramë për një metër kub, nivel aq i lartë mikrogrimcash sa ka bllokuar dhe futjen e rrezeve të diellit në shumë zona të Greqisë. Banorët kanë vendosur maska për të pastruar sa të munden frymëmarrjen.
Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit nga grimcat e pluhurit vërehet tek shenjat që lënë pikat e shiut kryesisht në sipërfaqen e makinave. Këto mikrogrimca të rërës në ajër, janë të dëmshme pasi janë nxitëse të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe meningjitit.