Në gusht të vitit 1949, në aeroportin Çiampino të Romës mbërriti një pjesë e stafit të ambasadës shqiptare në Itali. Mes të tjerëve, bashkë me të shoqen dhe vajzat e mitura, zbriti edhe Sekretari i Dytë i Ambasadës, Shemsi Beqir Aliaj.
Sipas stilit së organizimit të shteteve të bllokut komunist të Lindjes, i maskuar nën një detyrë diplomatike, Shemsi Aliaj, një oficer i sektorit të zbulimit të ushtrisë, ishte ngarkuar të drejtonte agjenturën shqiptare në Itali.
Emërimi ishte firmosur në kohë të vështira. I sapondarë nga Jugosllavët, të cilët do ti konceptonte me tmerr deri në fund të jetës, i troshitur nga zhvillimet e Luftës Civile në Greqi, dhe për më keq i vënë në shënjestër nga amerikanët dhe britanikët për ta rrëzuar nga pushteti, duket Enver Hoxhës i ishte mbushur mendja se, nëse Shqipëria do të sulmohej, atëherë e keqja do të vinte, ose nga kufiri me Greqinë, ku ndërkohë ishin shënuar edhe disa incidente, ose sërish nga brigjet italiane, si në vitin, jo shumë të largët, 1939. Kjo ishte situata që kishte ngjizur idenë e dërgimit të një agjenti të zot në Itali.
Urdhri i Enver Hoxhës ishte gati ultimativ. Në Itali, zbuluesi shqiptar duhet investohej dhe të lëvizte të gjithë gurët për të pasur vetëm një rezultat: Të arrinte me doemos të lajmëronte, të paktën 24 orë përpara, nisjen e ndonjë invazioni ushtarak pushtues nga brigjet italiane.
Pikërisht nga këto frikëra të Enver Hoxhës nisi edhe aventura gati e panjohur, por edhe krejt e pabesueshme e Shemsi Aliajt në Itali. I konsideruar nga njohësit dhe kolegët si “Riçard Sorge” shqiptar, ai vërtetohet të ketë qenë një nga mjeshtrat më të mëdhenj të rekrutimit të bashkëpunëtorëve. Herë me ndihmën e avujve të alkoolit, herë duke paguar të holla për informatat dhe herë duke ju ndenjur pranë femrave nga më të famshmet e kohës, llogaritet se në Itali, në pak vite, ai arriti të kishte përmbi 15 informatorë potencialë, të rekrutuar kryesisht në radhët e ushtrisë, por edhe të policisë italiane.
Rezultatet e punës, saktësisht informacionet e siguruara, vërtetohet të kenë qenë edhe më të rëndësishme. Pas një apo dy vitesh aktivitet Shemsi Aliaj do të shtinte në duar një shumicë sekretesh të ushtrisë italiane, dhe bashkë me to, edhe sekrete të Paktit të Atlantikut Verior, apo NATO-s, që sapo ishte formuar. Madje të dytat ishin informacione të një niveli që kapërcente interesat e shtetit shqiptar të kohës. Kështu që, materialet, me të mbërritur në Tiranë, pothuaj të gjitha, dërgoheshin me urgjencë në Moskë, në selinë qendrore të Shërbimit Sekret Sovjetik.
Dikur target i agjentit shqiptar do të bëhej edhe Silvana Pampanini, Miss Italia 1946, seks simboli i kohës në Itali dhe artistja femër më e preferuar të regjisorëve të filmave artistikë.
Shemsi Aliaj e kishte parë për herë të parë pranë një hoteli në qendër të Romës. I kishin tërhequr vëmendjen disa taksixhinj që e thërrisnin: “Silvi, Silvi, ngrije edhe pak fundin!”
Në një rast të dytë, të njëjtën femër ai e kishte parë edhe në shoqërinë e një ushtaraku të lartë, të përcaktuar kohë më parë si objekt të punës së tij agjenturore.
Duke llogaritur se rekrutimi i femrave mund të ishte më i thjeshtë dhe më tej duke vlerësuar se femrat kanë më tepër mundësi për të siguruar informacione sekrete, Shemsiu i kërkon Tiranës që ta lejojnë ti futej kësaj pune.
Krerët e Drejtorisë së Dytë të zbulimit të ushtrisë bien dakord, por i kërkojnë një listë, ku për secilën femër të përshkruante një biografi të shkurtër si dhe çfarë mund të ishin në gjendje të siguronin.
Shpejt Shemsi Aliaj i dërgon Tiranës një listë me rreth 15 femra që mund të bëheshin eventualisht objekt rekrutimi. Por në Tiranë lista e gjatë e femrave, disa prej të cilave të famshme por edhe bukuroshe, shkakton të qeshura. Gjithsesi qendra i aprovon disa, tre apo katër. Këtu nis edhe gjahu i agjentit sekret Shemsi Aliaj ndaj elementit femër.
Veprimi i parë i Shemsi Aliajt ishte realizimi i imazhit. Lë mustaqe dhe vishet me rrobat e modës së fundit duke u përpjekur ti afrohet pamjes së një njeriu të pasur. Ndërsa tentativa e parë për të vendosur lidhje, apo për tu pranuar në shoqërinë e seks simbolit italian dhe gjeneralit, ishte dërgimi i një shishe vere që të kushtueshme në tavolinën ku ata po drekonin. Një dhuratë super e shtrenjtë për Italinë e kësaj periudhe, që nuk ja lejonin vetes as gjeneralët…/ abcnews.al