Ish Kryeprokurori Adriatik Llalla është arratisur familjarisht në Gjermani, por ambasada gjermane ka pohuar se qëndrimi i tyre do të jetë i përkohshëm në këtë shtet, ndërsa sot kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja premtoi se shmangia e Vettingut nuk do të shpëtojë asnjë funksionar dhe se gjithësecili do të ndiqet penalisht për shkeljet e kryera.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, përveçse amnistimit të dhjetëra dosjeve të korrupsionit do të mbahet mend edhe si prokurori që iu shmang Vetingut.
Ne 10 shkurt 2018 Adriatik Llalla paraqiti dorëheqjen nga e drejta për të shkuar në Gjykatën e Apelit dhe ky vendim u pasua me ndërprerjen e Vetingut, i cili kishte nisur për të, që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.
Gjithashtu Llalla është zyrtari i parë nga organet e drejtësisë, të cilit iu vu embargo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka qenë Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, i cili ka miratuar masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Deri më tani, të paktën zyrtarisht nuk kanë nisur hetime ndaj ish-Kryeprokurorit Llalla për korrupsion, ndërkohë nëse vëzhgojmë formularët e deklarimit të pasurisë së tij ndër vite, vërejmë se e ka shtuar pasurinë me patundshmëri, si apartamente dhe troje.
Sipas formularëve të deklarimit të pasurisë, në vitin 2003, Llalla ka deklaruar një ambient banimi, në pronësi me familjarë të tij. Bëhet fjalë për një banesë, që sipas Llallës është blerë në vitin 1996. Po në të njëjtin vit ai ka deklaruar dhe një truall të blerë në vitin 1995 me të ardhura nga emigracioni.
Pasuria e tij ka ndryshuar në vitin 2006 dhe Llalla ka deklaruar se me para të dhëna nga familjarët e tij kishte bërë një shtesë kati në banesë me ballkone, me një sipërfaqe prej 180 metër katror. Kjo shtesë ka kushtuar 8 milionë lekë të vjetra.
Pasuria e tij është shtuar në vitin 2007, me blerjen e një trualli me vlerë 15 milionë lekë të vjetra, me një sipërfaqe rreth 3 mijë metër katror në Bathore.
Një vit më vonë Llalla ka përfituar të ardhura nga dhënia me qira banesës së tij dy katshe.
Ajo që bie në sy është se në kohën kur ai ka marrë postin e Kryeprokurorit, ka blerë një apartament me sipërfaqe 67.2 metër katror e që ka kushtuar 22 milionë lekë të vjetra.
Ndërkaq, kurba e të ardhurave të tij dhe të bashkëshortes ka pësuar rritje nga viti në vit.
CNA.al ka siguruar pranë ILDKPKI, formularët e deklarimit të pasurisë të Llallës për vitin 2016, ku rezultojnë shitje-blerje patundshmërish.
Kështu Llalla, deklaron se ka shitur më 24.06.2016 ullishte me sipërfaqe 3000 m2 në Mjull-Bathore, Tiranë, 249 000 euro.
Gjithnjë sipas deklaratës së vitit 2016 ai ka blerë më 05.12.2016 tokë arë me sipërfaqe 4500 m2në Tiranë, 4 500 000 lekë.
Një tjetër e dhënë tregon se ai ka çelur më 24.06.2016 llogari bankare me të ardhura nga shitja e tokës, 140 695 euro, ndërsa gjendja e llogarisë bankare e pagës është shtuar me 1 694 609 lekë.
Llalla ka deklaruar edhe një detyrim të marrë në qershor 2016 dhe të kthyer në janar 2017 përmes transfertës bankare, por referuar me të dhëna konfidenciale.
Më tej ai ka deklaruar të ardhurat nga paga si Prokuror i Përgjithshëm në vlerën 1.861.320 lekë, të ardhurat nga paga e bashkëshortes në shumën 836.216 lekë si dhe dëmshpërblimin për burgun e babait si ish i dënuar politik në shumën e 638.375 lekëve.
Pasuria e Llallës në 14 vite
Referuar të dhënave të marra nga Open Spending Albania.
Sipas deklaratës fillestare bërë në vitin 2003, ai deklaron se është bashkëpronar me 1/3 pjesë takuese i një shtëpie banimi me sip. 180 m2, 7 000 000 lekë, ndërtuar në vitin 1996, burimi trashëguar nga familjarët dhe të ardhura nga Letra me Vlerë, konvertuar në monedhën vendase, 4 000 000 lekë. Po në vitin 2003, deklaron se është bashkëpronar me 1/3 pjesë takuese i një trualli me sip. 2600 m2, vlera 3 000 000 lekë, blerë në vitin 1995 me të ardhura nga puna në emigrim.
Në vitin 2004 ka deklaruar të ardhura nga paga 859.731 lekë dhe të ardhurat nga pensioni i prindit në shumën 187.200 lekë.
Në vitin 2005 kur ishte zëvendës prokuror në Prokurorinë e Tiranës ka deklaruar pagën 1.234.613 dhe pensionin e nënës 187.200 lekë.
Sipas deklaratës së vitit 2006 , Llalla deklaron shtesë kati mbi banesë dhe shtesë ballkonesh me sip. 180 m2, 800 000 lekë, pjesa takuese 1/5.
Sipas deklaratës së vitit 2007 ai zotëron një tokë bujqësore me sip. 3 000 m2, vlera 1 500 000 lekë, blerë me para marre hua një të afërmi.
Në vitin 2008 në detyrën inspektor i përgjithshëm pranë ILDKPKI, ai ka deklaruar pagën që ka pasur si prokuror në vlerën prej 675.270 lekë, pagën në ILDKPKI në vlerën 463.500 lekë, pagën e bashkëshortes në vlerën 720.000 lekë, të ardhurat e marra nga qiraja e katit të dytë të banesës me sipërfaqe 100 metër katror me 30.000 lekë në muaj, të ardhurat nga dhënia e katit të parë të banesës me sipërfaqe prej 70 metër katror me një çmim prej 250.000 lekë si dhe të ardhurat nga pensioni i nënës në shumën 160.000 lekë.
Në vitin 2009 ai ka deklaruar një llogari bankare 450.000 lekë në emër të tij dhe një tjetër prej 200.000 lekë në emër të bashkëshortes.
Gjithashtu ka deklaruar pagën si inspektor në ILDKPKI në vlerën prej 1.807.364 lekë, pagën e bashkëshortes 562.487 lekë. Të ardhurat nga qiraja e shtëpisë, në shifrën 660.000 lekë dhe pensionin e nënës në vlerën prej 160.00 lekë.
Sipas deklaratës së vitit 2010 ai ka paguar për legalizimin e shtëpisë dhe truallit.
Sipas deklaratës së vitit 2011 rezulton se ai ka rivlerësuar shtëpinë dhe truallit, dhe një tokë të llojit ullishte.
Sipas deklaratës së vitit 2012 ai ka blerë një apartament banimi me sipërfaqe 67.2 m2 në Durrës, me vlerë 2 200 000 lekë.
Ndërsa në vitin 2013, Llalla ka deklaruar vetëm pagën e tij dhe të bashkëshortes, përkatësisht në vlerat 2.014.362 lekë dhe 553.521 lekë.
Në vitin 2014 ish-Prokurori i Përgjithshëm ka deklaruar kursime 1.500.000 lekë, pagën e tij 1.973.900 lekë, pagën e bashkëshortes 813.059 lekë si dhe të ardhurat nga dhënia e shtëpisë me qira në vlerën 1.000.000 lekë.
Në vitin 2015 Llalla ka shtuar në “arkën” e kursimit edhe 902.845 lekë, ndërsa paga e tij ishte 1.873.095 dhe e bashkëshortes 961.145, ndërsa të ardhurat nga qiraja e shtëpisë shkojnë në vlerën e 1.200.000 lekë./CNA.al