Situatë e tensionuar tek Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ku ndodhen një numër i madh protestuesish të ndaluar pas protestës së 11 majit. Protestuesit e opozitës kanë hedhur sot molotov e sende të forta drejt Policisë së Tiranës.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi ‘live’ se ata kanë qëlluar me gurë drejt policisë dhe vazhdimisht marrin pllaka e gurë nga toka duke thyer xhamat.
Pas qëndrimit disa minuta tek Ministria e Brendshme, protestuesit kanë shkuar para Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës në shenjë proteste kundër ndalimit të dhjetëra protestuesve. “Lironi vëllezërit tanë”, “Rama ik” janë thirrjet e protestuesve.
Ndërkohë kreu i PD-së Lulzim Basha ka vijuar marshimin në rrugën “MyslymShyri” e për të shkuar drejt PD-së ku pritet mbyllja e protestës.