Amant Josifi, një biznesmen i njohur në vend në fushën e ‘Call Center-ave’ raportohet se është shpallur në kërkim nga autoritet spanjolle për një skemë masive mashtrimi me “call center”. Gazeta më e madhe spanjolle “El Pais” shkruante se aksioni që çoi në zbërthimin e skemës është koordinuar nga Eurojust me pjesëmarrjen e forcave ligjzbatuese nga disa shtete.
Qytetarët, duke u kontaktuar me “call center”, josheshin përmes mashtrimit për të investuar shuma monetare në tregjet e kriptovalutave, mallrave dhe produkteve të tjera financiare. ‘Duke përdorur call center 24 orësh me bazë në Ballkan, një rrjet ndërkombëtar kriptomonedhash ka bërë më shumë se 200,000 ‘viktima’ në Europë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë’, shkruante El Pais.
Autoritetet spanjolle morën pjesë në bastisjen shqiptare, burimi kryesor i thirrjeve të marketingut për viktimat në gadishullin Iberik. Një urdhër-arresti është lëshuar për Amant J., një pronar call-center me lidhje të nivelit të lartë me qeverinë shqiptare, i cili gjithashtu ka qenë këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes.
Në Gjeorgji, autoritetet gjermane arrestuan Mikhail B., një kontribues i madh i fushatës politike që zotëronte qendra telefonike dhe faqe interneti që synonin kryesisht qytetarët gjeorgjianë. Pavarësisht se ishte në luftë, policia ukrainase çmontoi qendrat e thirrjeve që punësonin më shumë se 800 njerëz”, shkruante ‘El Pais’.
Mega operacioni në Shqipëri, i përfshirë edhe SPAK
Irisa Puca 31-vjeç, Adrian Korriku 29-vjeç, Bernardo Saraçaj 32-vjeç, Erind Pysqyli 31 vjeç janë 4 të arrestuarit në kuadër të operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe Guardia Civil spanjolle në Bashkëpunim me SPAK. Ata janë ndaluar gjatë operacionit “Stuhia” dhe dy prej tyre, përkatësisht Bernardo Saraçaj dhe Erind Pasqyli do të ekstradohen drejt Spanjës, pasi do të gjykohen në këtë shtet, për mashtrim online me kriptomonedhat.
Nga 15 Call Centerat e kontrolluar në disa vende të Europës, 6 ndodheshin në Shqipëri, ndërsa nga 5 të arrestuarit, 4 janë vënë në pranga në vendin tonë. Autoritetet pranojnë se Call Centerat tashmë kanë marrë përmasa të krimit të organizuar, ndërsa qarkullojnë qindra miliona euro të përfituara nga skemat e mashtrimit kompjuterik edhe me kriptomonedhat.
Një mega operacion ndërkombëtar i drejtuar nga EUROJUST dhe i shtrirë në 10 vende, përshirë edhe Shqipërinë, çoi shkatërrimin e një grupi kriminal të cilët kishin mashtruar përmes investimeve në kriptovaluta mijëra qytetarë, kryesisht në BE. Grupi kriminal ka arritur të përfitojë rreth 50 mln euro për çdo tre muaj.
Grupi kriminal i emërtuar si (OCG) dyshohet se është përfshirë në mashtrime përmes investimeve online me kriptomonedha. Grupi kriminal përdorte Call Centera dhe platforma të tjera online si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc etj, dhe mashtronte qytetarët që të investonin online përmes kriptovalutave.
Si u bë Amand Josifi ‘Ujku i Wall Street-it’ të Shqipërisë në arrati?
Ishte viti 2020, kohë kur në ministrja Olta Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Në atë kohë, Amant Josifi ishte ende pjesë e kabinetit të saj. Si rrufe në qiellin e pastër të Tiranës, më 4 mars 2020, një artikull i botuar nga OCCRP (Projekti për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit) u pa si i pabesueshëm në Shqipëri.
Investigimi u bë nga një ekip ndërkombëtar gazetarësh të cilët publikuan edhe një foto të Amant Josifit, me David Todua, i cili është cilësuar si një ndër njerëzit kryesor në skemën e mashtrimit. Call Center i ‘Milton Group’ në Kiev është pjesë e një rrjeti të operacioneve të ngjashme në disa vende ku punësohen një ushtri shitësish për të bindur viktima nga e gjithë bota të hedhin para në investime të dyshimta.
Todua zakonisht mbrohet nga persona të armatosur dhe gjatë festës së Krishtlindjeve, ai i tha punonjësve të tij se donte të kalonte të ardhurat prej 100 milionë dollarëve gjatë vitit 2020. Ai poston në rrjetet sociale foto të tij me kallashnikov prej ari, me armë të tjera zjarri dhe jetën e tij lluksoze. Në korrik në 2018 ai u arrestua dhe u dënua me gjobë në Ukrainë sepse u ndalua në aeroport me qindra mijëra dollarë kesh.
Në festat e tij lluksoze ishte i pranishëm edhe Amant Josifi, i cili ka dalë edhe foto me Toduan, të cilën e ka postuar në rrjetet sociale. Kjo tregon se ai është në marrëdhënie të ngushtë me Toduan dhe me kompaninë Milton.
Një filmim i fshehtë tregon se si punonjës të kompanisë Milton janë parë duke dalë dhe në afërsi të zyrave të call centerit të Josifit në Tiranë. Andri Romanko, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë me Keselman, menaxhon call centerat në Shqipëri. Ky fakt është bërë i ditur nga Josifi në një përgjigje për OCCRP.
Në Shqipëri ka një call center që po bënë të njëjtën punë si kompania Milton në Kiev dhe atyre i janë dërguar emrat dhe numrat e klientëve nga ai vend. Call Centeri në Tiranë ka deri në 500 punonjës të moshës 18- 25 vjeç. Atyre i kërkohet të kryejnë 400 telefonata në ditë dhe paguhet rreth 300 euro në muaj.
Festa luksoze që i zbuloi të gjitha
Në festën e çmendur të Milton Group për fundvitin 2020, qindra të rinj pinin dhe kërcenin gjatë gjithë natës, ndërsa disa nga njerëzit kryesorë të dhomës dolën nga festa për të pozuar në një foto së bashku. Të veshur thuajse njësoj,me kostum të zi, kokë të rruar dhe me bodigardë ata u rreshtuan në ballë të një sfondi me pisha të zbukuruara me kupa ari dhe që stolisej me urimin “Gëzuar Vitin e Ri! Milton Group”.
Këto foto përfunduan në Instagramin e dy pjesëmarrësve dhe shërbyen si një e dhënë kryesore për gazetarët që të kuptonin se Milton Group e tejkalon Ukrainën, atje ku nisi edhe skema e mashtrimit, nga ku u morën qindarkat e fundit të viktimave. Duke përdorur provat nga media sociale, intervistat me punonjës të call centrave, dhe raportime të fshjehta, OCRP mund të zbulojë se Call Center i Milton Group në Kiev është pjesë e një rrjeti të operacioneve të ngjashme në disa vende ku punësohen një ushtri shitësish për të bindur viktima nga e gjithë bota të hedhin para në investime të dyshimta.
Në pamjet e festës në Instagram, duket një këshilltar zyrtar i ministrit të mbrojtjes të Shqipërisë që qëndron në rreshtin qendror. Pranë tij ishte një njeri me emrin David Todua. Todua, një Gjeorgjiano-Izraelit, ishte në radarin e gazetarëve pasi një informator i call center, e përmendi atë si një njeri të rëndësishëm në kompani që viziton zyrën e Kievit. Informatori i cili denoncoi rastin edhe tek autoritete Suedeze, e përmendi Toduan si njeriu që qëndron pas këtyre operacioneve.
Ndonëse asnjë dokument zyrtar nuk e lidh Todua me Milton Group, ai ka në pronësi një sistem online pagesash që është përdorur për të procesuar shumë prej qytetarëve që janë mashtruar nga Milton. (Todua mohon me forcë çdo përfshirje zyrtare ose joformale në Milton Group.) Pasi i ka dha një tufë me dokumente gazetarëve, informatori ra dakord të kthehej në kryeqytetin Ukrainas për të marrë pjesë – dhe për të regjistruar në mënyrë sekrete – festën e fundvitit, që premtohej se do qe tejet luksoze.
Tema e eventit ishte “Getsbi i Madh”, një roman klasik i shkrimtarit amerikan i vendosur në epokën e Jazzi-t dhe që përbëhej nga performanca të elaboruara me drita me neon dhe çmime. Festa kulmoi me fjalimet nga liderët e kompanisë dhe torta me 3 qirinj në nder të ditës së lindjes së Milton.
Drejtori ekzekutiv (CEO) i Milton Group, Jacob Keselman, dha një fjalim tejet motivues duke iu referuar Toduas si “ati” i kompanisë. Ai më pas e thirri atë në skenë për t’i dhuruar tortën e ditëlindjes me tre qirinj të ndezur, një referencë për vitet e opreimit të call center.
Sinjalizuesi, që morri pjesë në ngjarje, e identifikoi këtë “David” si David Todua. (Todua konfirmoi për gazetarët që kishte marrë pjesë në festë, por vetëm si mysafir i Keselman. Keselman, nga ana e tij, u tha gazetarëve se nuk e njihte Todua.)
Skema e mashtrimit në ‘Call Centera’
Kompanitë “call center” kryesisht marrin me qira ambiente të mëdha në zonat më të populluara në Tiranë, me qindra punonjës shqiptarë, kryesisht të rinj, që paguhen bazë nga 400-700 euro, por që paga e tyre mujore mund të arrijë deri në 3 mijë euro, në varësi të vlerës së investimit që arrijnë të marrin nga personat që bëhen pjesë e sistemit, pasi i kontaktojnë përmes një regjistri telefonik me numra të qytetarëve të një shteti përkatës.
Të përzgjedhurit janë kryesisht moshat e thyera, për shkak se mund të mashtrohen më shpejt dhe pa kërkuar shumë detaje që për vetë moshën janë deri duke të pakuptueshme.
Qytetarëve u premtohet se brenda një kohe shumë të shkurtër, që për shembull në sistemin bankar duhet të presësh për vite, një investim i vogël fillimisht, do të dyfishohet për pak muaj, e kështu me radhë duke i shtuar shumat e investimit në varësi të premtimeve për fitime shumë më të mëdha në vlera.
Rrjeti ‘Bitcoin’ ofron mundësinë për t’u futur në internet, për të investuar, për të blerë monedha, aksione, etj., të presësh që çmimet në bursë të rriten, për t’i shitur shumë më shumë nga sa i kanë blerë. Në një rrjet të ligjshëm e të licencuar kushdo që arrin rezultatin e dëshiruar, mund ta tërheqë fitimin e ta mbyllë llogarinë.
Kujtojmë se Amant Josifi është një emër i njohur për Shqipërinë. themelues i APA-LIAISON Ltd në vitin 2012, i ndjekur nga EUROPE SERVICE GROUP Ltd, MCN SERVICES Ltd, etj.
Në total, pre e kësaj skeme mashtrimi kanë rënë 200,000 viktima në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë. Policia spanjolle përgjoi 3 milionë emaile që u mundësuan hetuesve të identifikonin dhe lidhnin më shumë se 470 faqe interneti të mbështetura nga qendrat e Call Center. /Vox News