Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar dje prokuroren speciale anti-korrupsion Katica Janeva, në një kthesë të re të skandalit të video-përgjimeve që ka tronditur qeverinë dhe ka dëmtuar krediblitetin e saj në fushatën anti-korrupsion të vendit. Janeva u arrestua dje në shtëpinë e saj me kërkesën e prokurorisë së përgjithshme, e cila po heton skandalin e quajtur “Zhvatja” që ka shpërthyer prej muajit të kaluar.
Kryeprokurori publik Ljubomir Joveski tha në konferencën e shtypit se Janeva, e cila një ditë më parë ishte marrë në pyetje për tri orë, u arrestua si e dyshuar për abuzim me detyrën, pasi prokurorët kishin mbledhur “prova të pakundërshtueshme”, kundër saj. Janeva tha më herët se “nuk ndjej asnjë faj”. “Nga provat e deritanishme është konfirmuar se prokurorja publike ka kryer vepër penale. Ju informojmë se Prokuroria Themelore e ka zgjeruar hetimin dhe ka arrestuar prokuroren speciale, e cila është e dyshuar. Njëri nga të dyshuarit në rastin ‘Haraçi’ duke shfrytëzuar ndikimin ndaj prokurores speciale, ka kërkuar që të shfuqizohet masa e paraburgimit për njërin ndaj të akuzuarve në rastin ‘Perandoria’. Prokurorja speciale duke marrë shumë të madhe të mjeteve, ka pranuar që njërit nga të akuzuarit t’ia shfuqizojë masën e paraburgimit, duke ia zëvendësuar me atë të arrestit shtëpiak”, tha mes tjerash prokurori Joveski.
Prokuroria kërkon paraburgim: Prokuroria ka dërguar te gjykata kërkesën e paraburgimit për Janevën, për përfshirje në skandalin zhvatjes së parave në këmbim të anulimit të akuzave ndaj biznesmenit Orce Kamcev. Muajin që shkoi biznesmeni Bojan Jovanovski dhe bashkëpunëtori i tij Zoran Milevski u arrestuan si të dyshuar për marrjen e parave nga Kamcev, në këmbim të premtimit për uljen e dënimit të tij për shkeljet, duke përdorur influencën e tyre me zyrën e Janevas, pra prokurorinë speciale anti-korrupsion. Ndërsa më 8 gusht, gazeta italiane La Verita nisi të publikonte biseda të regjistruara mes Kamcev e Jovanovskit, ku dëgjoihej gjithashtu zëri i Janevas duke negociuar. Janeva konfirmoi se ka qenë zëri i saj por tha se po negocionte për një tjetër çështje dhe se veprimet e saj ishin legjitime. Policia tashmë ka sekuestruar celularët dhe kompjuterët e Janeva, ndërsa mohuan raportimet se ka në kontrolluar dhe mjediset e prokurorisë speciale. Prokurori Joveski tha se pas mbledhjes së provave materiale dhe verbale është arritur tek dyshimet se Katica Janeva ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rastin “Haraçi”, duke përfituar para në shuma të mëdha, por shtoi se nga provat e deritanishme mund të konfirmohet se është vepër penale e pastër dhe kërkoi që kjo mos të lidhet me politikën.
VMRO: Përfundon karriera e Janevës, bashkëpunëtores së Zaev: Zëdhënësi i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, Dimçe Arsovski në një konferencë për shtyp pas arrestimit të prokurores speciale Katica Janeva deklaroi se ka përfunduar karriera në Prokurori dhe ajo politike e bashkëpunëtores së Zaevit. Ai mes tjerash thekson se Janeva është vetëm një hallkë e zinxhirit të krimit të organizuar. “Arrestimi i Katica Janevës nuk duhet të shndërrohet në aksion për shpëtimin e Zoran Zaevit, por duhet të shihet se cili ka qenë roli i të gjithë atyre që kanë qenë të afërt të ‘Lidhjes ndërkombëtare’. Janeva është vetëm një hallkë e zinxhirit të krimit të organizuar”, theksoi Arsovski. VMRO thekson se vendimi për arrestimin e Janevës është i vonshëm dhe se ajo ka pasur mjaftueshëm kohë të ndikoj tek dëshmitaret dhe të zhdukë dëshmi të rëndësishme për rastin “Reket”. Nga kjo parti e quajnë skandaloz vlerësimin e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion ku thuhet se nga paratë e “Reketit” të Boki 13 dhe Zoki Kiçeec, vetëm rreth 4500 euro kanë përfunduar tek Janeva. /Andi Lamko