Periudha 2000-2005 ka qenë shumë intensive për presidentin Ilir Meta. Ky i fundit fitoi një tjetër betejë me mazhorancën, pasi arriti t’i mbijetojë një shkarkimi nga Gjykata Kushtetuese.
Por historikisht, Ilir Meta ka qenë pjesë e debateve dhe konflikteve. Periudha më e zjarrtë është ajo e qeverisë “Nano”. Meta fillimisht u bë kryeministër dhe më pas u dorëhoq duke marrë postin e ministrit të Jashtëm.
Por në vitin 2003 ndodhi krisja e madhe me Fatos Nano, duke e detyruar këtë të fundit ta largojë Metën nga qeveria. Për të qenë më konkretë, Meta u detyrua që të jepte dorëheqjen nga posti i zv/kryeministrit dhe i ministrit të Jashtëm. Bashkë me të u largua nga qeveria edhe ministri i Integrimit, Sokol Nako, mbështetës i tij.
Fatos Nano propozoi Marko Bellon e Ermelinda Meksin, për të plotësuar këto vakanca. Ndonëse presidenti Moisu dha aprovimin, dekreti i tij i emërimit për Bellon u rrëzua me votë në seancën plenare nga opozita dhe 16 deputete përkrahës së Metës. Ministria e Jashtme u drejtua nga zv/Ministri deri në tetor të 2003-shit.
Për këtë post dhe atë të Ministrit të Rendit, të mbetur bosh pas dorëheqjes së Luan Ramës, kryeministri Nano propozoi Namik Doklen dhe Fatmir Xhafajn. Skenari u përsërit dhe dekretet u rrëzuan sërish nga deputetët. Nano qeverisi me zëvendësministra deri në kongresin e partisë së 12 dhjetorit.
Në këto kushte presidenti i vendit, Alfred Moisiu, i kërkoi publikisht kryeministrit Nano të rikonfirmonte mazhorancën në Parlament, pasi vendi nuk mund të qeverisej me tre vende ministrore bosh, ose të kalonte në zgjedhje të parakohshme.
Më 24 dhjetor 2003 pasi u rikonfirmua kryetar i PS, Nano paraqiti kabinetin e ri te presidenti Moisiu dhe Parlamenti e votoi me numrin e nevojshëm të votave.
Krijimi i LSI
Ilir Meta, pas përpjekjeve brenda strukturave drejtuese të PS-së, më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete, themeluan një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ilir Meta u zgjodh në krye të LSI-së në prill të vitit 2005.
Por më pas kjo parit u kthye në parti familjare. Meta u rikonfirmua kryetar në të gjitha votimet dhe në vitin 2017 ai ia besoi partinë për pak muaj Petrit Vasilit, por që ky më pas ja dorëzoi Monika Kryemadhit.
Interesant është fakti se Meta në dhjetor të vitit 2002 zhvilloi një vizitë në Rusi. Vizita ishte shumë mistike sepse u duk një afrim i qartë me Moskën. Pak muaj më pas Meta u largua nga qeveria dhe nisi te tentativat për të bllokuar ekzekutivin e drejtuar nga Fatos Nano.
Qëndrimet e Nanos
Pas vitit 2005, Fatos Nano u zhduk nga arena politike, por pak kohë më parë ai dha një intervistë të fortë. Nano lëshoi një numër të madh akuzash ndaj presidentit Ilir Meta. “Ilir Meta u bë kryeministër në 1999, pas një marrëveshje me mua. Dhe mbeti i tillë deri kur dha dorëheqjen 2002, sepse kemi Pandin që nuk të lë të gabosh se ai vjen mbrapa. Ai mendoi se bashkë me krizën energjetike do hante dhe kokën e Fatos Nanos. Pra sapo ishte marrë vesh që do të vazhdonte drejtimin e qeverisë, kur papritur më thotë ‘e deshe merre mbaje me gjithë krizë’. Kaloi sa kaloi dhe erdhi prapë tek zgjedhja e Moisiut. Në një mënyrë apo në një tjetër më afroi me Berishën dhe më afroi me Metën. Dhe bëmë marrëveshje për të hyrë bashkë në qeveri. Më lër ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm”, ka deklaruar Nano.