Pjesa e dyte e autobiografisë së aktorit Bekim Fehmiu, ‘Shkëlqim dhe tmerr’, më në fund ka dalë në shitje.
Pjesa e parë e librit ishte botuar, vite më parë, në shqip me titullin “Shndritshëm dhe tmerrshëm”. Promovimi i pjesës së dytë është bërë më 25 mars, në Prishtinë; si dhe një ditë më vonë, në Prizren, qytetin e lindjes së aktorit.
Pjesa e mëposhtmë i takon një episodi kur Bekim Fehmiu arriti të prezantojë në Romë, udhëheqsin jugosllav Tito me aktoren greke Irene Papas. Natyrisht kujtimet janë shkruar në kohën e Jugosllavisë dhe në teks duken qartë notat e venerimit të Fehmiut për diktatorin jugosllav….
GAFA!
Romë. Shoku Tito për vizitë në Itali dhe Vatikan. Ambasadori ynë Misha Paviqeviq, shok lufte me Pivo Karamatijeviqin, dajën e Brankës sime, ma çoi ftesën për pritjen. M’u lajmërua Irena Papas. Dëshiron ta shohë shokun Tito. Më pyet nëse mund të vijë me mua. Me lutjen time, ambasada jonë ia dërgoi ftesën.
Hoteli „Grand“. Me mijëra të ftuar. Na pritën vetëtimat e bliceve dhe thirrjet: „Penelope, Ulisse, per favore, un momento, solo un giro!“ (Ju lutem, një çast, vetëm një xhiro).
Njerëzit nga protokolli na çuan në separe. Të gëzuar dhe krenarë që na shihnin, na qerasnin me pije dhe na bënin shoqëri.
Salla shkëlqen. Gëlon nga dama e zotërinj nga qarqet më të larta politike, diplomatike, ekonomike e kulturore.
– Hajde të hipim në podium që nga afër ta shoh Titon. Irena më mori përdore dhe më tërhoqi në skenë. U ndalëm para perdes prej cohe të gjelbër të errët. Njerëzit na shikojnë me kureshtje.
Salla ra në heshtje. Perdja u hap pa zhurmë. Shoku Tito u shfaq në gjithë shkëlqimin e tij, në shoqëri të nikoqirit dhe shoqes Jovanka.
– Më njofto, të lutem. Nëse nuk më njofton, do të vdes! – këmbëngul Irena. M’u shtrëngua diç në stomak, ndërsa goja m’u tha.
– Mirë se na erdhët, shoku Tito! – dola para tij duke i dëshiruar mirëseardhjen, si të isha unë nikoqiri….
I befasuar, Tito u ndal. Më shikon me sytë e tij blu të çeliktë dhe pyet veten kush, vallë, qenkësha unë?
– Më falni, m’u desh ta plotësoja dëshirën e një dame që të njoftohet me ju. Më lejoni t’jua paraqes: zonja Irena Papas.
Shikimi i ftohtë i Titos kaloi te Irena. E pranoi dorën e saj të shtrirë, por nuk e njohu. Doli në ndihmë shoqja Jovanka: – Tito, është ajo aktorja që e ka luajtur nënën e partizanit në Sutjeska, të kujtohet? – Tito bëri me kokë sikur ju kujtua…
Në atë situatë të pakëndshme, iu solla nikoqirit: – Sua Eccellenza, buona sera. (Shkëlqesia Juaj, mirë mbrëma.)
Po të mos qe shoqja Jovanka, nuk e di si do të përfundonte e gjithë kjo, sepse shokut Tito aspak nuk i pëlqeu ajo situatë e papritur.
Në përcjellje të nikoqirit, Tito zbriti në sallën, në të cilën mbretëronte një heshtje varri.
Mbeta me një shije të hidhur në gojë, e cila u zbut me buzëqeshjen e gjerë të shoqes Broz dhe përzemërsinë e suitës sonë. Irena qe jashtë kontrollit nga lumturia, më mbulonte me puthje… Duke shikuar nga skena, ndërkaq, kuptova se çfarë qe protokolli dhe me kë është dashur që Tito fillimisht të përshëndetet. Vetëm atëherë e pata të qartë çfarë gafe kisha bërë.
Na u afrua shoku im, gazetari dhe kritiku i filmit në „Ilustrovana Politika“. Më lut t’i bëjë ca fotografi me Irenën. Pas një përjetimi të tillë, Irena është në gjendje që t’i kënaqë të gjitha kërkesat. Sllavko Llazareviq, duke na fotografuar të përqafuar, derisa qëndrojmë në këmbë dhe pimë cigare, e shpenzoi një film të tërë. Në fund, jemi ulur dhe pimë mengadalë pijet tona.
Ilustrovna politika, artikulli i shokut tim në dy faqe: „Shoku Tito u takua me yjet e filmit, Silvia Koshçinin dhe Irena Papas dhe u ndal në një bisedë të përzemërt.“ Askund nuk e përmendi emrin tim. Nga gjithë ato fotografi, nuk e botoi asnjë.