President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka treguar detaje nga drafti për rikthimin e basteve sportive, i cili shumë shpejt do publikohet për konsultim publik. Sipas Fidel Yllit, personat që do të luajnë, do të jenë të identifikuar dhe shuma që do luhet, po ashtu.
“Ti do të vesh kartën ID, dhe do të futesh të luash online. Duke luajtur online, policia të kontrollon. Do të kontrollet shuma që luhet, do të jetë një kontroll i rreptë”, tregoi ai në emisionin “Debat” në A2 CNN.
Fidel Ylli shpjegoi se me paratë që do sigurohen nga vjelja e taksave të këtyre bizneseve, do të mund të ndihmohet sporti apo edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila do të jetë përfaqësuese në komision për ata persona që janë të varur nga bastet dhe duhet të rehabilitohen.
“Lajmi është, në ligjin e vjetër thuhej në një pikë që çdo 0.4% e fitimit të kompanive të basteve, çdo datë 10 të çdo muaji shkojnë në llogarinë e ministrisë së Kulturës, të Sporteve. Këto para shkonin në ministri të Financave dhe nuk i mori kurrë Sporti. Sepse mbyllte vrimat qeveria, një rrugë këtu, një ujësjellës këtu…
Garancia është kjo, këto para nuk do të hyjnë në buxhetin e shtetit. Është një agjenci që do t’i menaxhojë dhe do të jenë përfaqësues në këtë agjenci, nga Ministria e Arsimit, Financave, ajo e Përkrahjes Sociale, presidenti Komitetit Olimpik, ai i FSHF-së”, sqaroi Fidel Ylli i KOKSH.