Greqia po tenton ta kthejnë në çështje fetare rastin e Fredi Belerit. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës ndodhet në qeli prej afro 3-muajsh sepse u kap duke blerë vota, por Athina nuk po lë gur pa lëvizur për ta nxjerrë prej andej. Pasi u pa se presionet nuk pinë ujë, duket se në lojë ka hyrë kryepeshkopi Janullatos, i cili më shumë se po bën rolin e kreut të kishës ortodokse, po luan lojën e Athinës.
Janullatos i shkoi në qeli Belerit duke thyer çdo lloj rregulli dhe etike, pasi nuk i takon kishës të ndërhyjë në këto punë. Vërtetë Janullatos është grek, por Kisha është autoqefale dhe nuk mund të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë. Megjithatë kjo vizitë ka bërë shumë bujë në mediat greke, të cilat kanë shkuar deri aty duke nxjerrë dhe mesazhet e kësaj vizite.
Sipas “Workenter.gr”, por dhe disa mediave të tjera, mesazhi që kryepeshkopi dërgon me praninë e tij në krah të Belerit, sipas qarqeve përreth tij, është se guximi për të rrëfyer të vërtetën është kusht themelor për mbizotërimin e drejtësisë dhe drejtësia është faktor kyç për paqen dhe kohezionin e qendrueshëm. Sipas rrethit të ngushtë të tij, kur një anëtar i Kishës përndiqet padrejtësisht, i bëhet padrejtësi e gjithë Kishës. Pra duket se arrestimi po tentohet të shihet dhe si sulm kundër Kishës.
Në të njëjtën linjë ka qenë një faqe e kishës greke, “vimaorthodoxias.gr”: “Rivendosja e drejtësisë dhe rendit juridik kontribuon në zgjidhjen shoqërore dhe zhvillimin e mirëkuptimit dhe marrëdhënieve paqësore. Krahas të tjerave, mbështetja shpirtërore që i është dhënë kryepeshkopit të Himarës, Fredis Dionysios Beleris, në të vetmen mënyrë që ai di, është edhe një mesazh shprese dhe mbështetje për familjen e të burgosurit dhe gjithë komunitetin e besimtarëve”.
Athina prej 3-muajsh po ndërhyn brutalisht në punët tona të brendshme. Beleri u kap me “presh në duar” dhe askush nuk mund të dalë mbi drejtësinë. Por duket se tani të gjithë janë hedhur në sulm, përfshirë dhe kishën, duke mëndur se nëse je grek ligji nuk të kap. /Pamfleti