Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan ka patur një takim zyrtar me kryeministrin grek Mitsotakis.
Teksa ky është një takim aspak i zakonshëm dhe i rrallë për palët, në fotot e shpërndara në rrjet Erdogan i tregoi pamjet e Bosforit, kryeministrit grek Mitsotakis para fillimit të një dreke të rrallë mes fqinjëve që ka zgjatur gati dy orë në pallatin presidencial në Stamboll.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve mes tyre për kufijtë detarë, burimet energjetike, statusin e ishujve të Egjeut, çështjen qipriote dhe emigracionin , takimi i shumëpërfolur, nën hijen e luftës Rusi-Ukrainë, është zhvilluar në një klimë të ngrohtë.
“Me gjithçka që po ndodh, ne kemi shumë për të diskutuar në lidhje me rajonin tonë”, tha kryeministri grek.
“Po, ne do ti diskutojmë të gjitha tani”, u përgjigj presidenti turk.
Dy aleatët e NATO-s, që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara lidhur me pretendimet për kufijtë detarë dhe jo vetëm, kanë premtuar të ulin tonet në lidhje me pozicionimet që ndajnë në çështjet dypalëshe, duke dhënë një kontribut për paqen e sigurinë në rajon.
Mitsotakis dhe Erdogan ranë dakord që në prill pasi të rindërtojnë të ashtuquajturat “masat e mirëbesimit” në Ankara, të mbajnë në Selanik në shtator, Këshillin e Lartë të Bashkëpunimit të dy vendeve, ndërsa gjatë kësaj kohe të bashkëpunojnë për krijimin e korridoreve humanitare në Ukrainë.
“Ne sot hodhëm themelet për një epokë më të qetë në marrëdhëniet mes dy vendeve, për përmirësimin e tyre dhe kryesisht për të bashkëpunuar për çështjet e mëdha në mënyrë që të përballojmë të gjitha sfidat”, kanë theksuar dy liderët.