Loja e presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha me konfliktin Rusi-Ukrainë ka dështuar dhe është tretur si sheqeri në ujë. Ditët e fundit presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha kanë shfrytëzuar përplasjen mes Moskës dhe Kievit, ndërsa kanë lëshuar kritika të forta në adresë të Rusisë, duke treguar se ata janë më proamerikan se amerikanët.
Kreu i shtetit dhe ish-lideri demokrat kishin shpresë se Rusia dhe Ukraina do të hynin në një konflikt ushtarak, shpresë kjo që i pozicionoi ata krah amerikanëve.
Por kjo strategji e dyshes Berisha-Meta për të fituar simpatinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me shfaqjen pro SHBA dhe anti Rusi është venitur, pasi janë dhënë sinjale se nuk do të ketë luftë mes këtyre dy vendeve. Kështu që kjo gjë duket se rezultoi në bumerang për Metën dhe Berishën.
Ngjela paralajmëron arrestimin e filorusëve në Tiranë
Një sinjal të kësaj natyre se presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha janë trishtuar se përse Ukraina dhe Rusia nuk u futën në luftë e ka pohuar dje edhe avokat Spartak Ngjela.
Ky i fundit përmes një analize të hollë në rrjetet sociale, ka paralajmëruar arrestimin e filorusëve në Tiranë, duke shigjetuar binomin Meta-Berisha. Sipas avokat Ngjelës, eliminimi i korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë është një arsye politike e kohës edhe për Shqipërinë, por edhe për politikën globale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“I thashë të korruptuarve të mëdhenj të korrupsionit shqiptar: Nuk do të pushtohet Ukraina; por do të vritet Putini. Ja, sot Putin mavria po tërhiqet. Por më qesharak nuk është Putini, por një komedi e plotë ishte gëzimi i madh i korrupsionit të lartë shqiptar. Hajdutë kaq të trashë si këta tanët, rrallë se mund të gjesh. Sot janë të mërzitur.
Zotërinj; pasi mbaruat pritjen e Rusisë dhe të Serbisë në Shqipëri dhe në Kosovë me gëzim; tani filloni pritjen me ankth të SPAK-ut. Goditja e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri do të sjellë një vlerë të re për Amerikën në opinionin publik shqiptar. Dhe këtë duhet ta dijë politika amerikane… dhe kuptohet se ajo e di shumë mirë.
Me eliminimin e korrupsionit të lartë në Shqipëri, e humbet shpresën edhe Moska edhe Beogradi kundrejt Shqipërisë. Prandaj, kjo kohë historike e kërkon të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, eliminimi i korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri”, shkruan ai.
Avokati e cilëson SHBA-në superfuqi botërore
Më tej avokat Spartak Ngjela shprehet se një ndër arsyet kryesore që Rusia u tërhoq dhe nuk hyri në konflikt me Ukrainën është fakti se ajo i frikësohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, presidenti Vladimir Putin është një lider i dështuar. “Ushtria ruse, “e mbaroi stërvitjen” tha Moska sot, duke tërhequr trupat nga rrethimi i Ukrainës. Komedi, por vjedhësit tanë janë të mërzitur. Dhe tani, mendoj se Putini do të jetë në vështirësinë që ai vetë i krijoi pushtetit të tij.
Ai e zhyti Rusinë në fronin e tij; sepse, në dy dekada, krijoi për veten një fron monarkik për shumë arsye. Por historia na ka thënë që: përreth fronit gjëmon gjithmonë rrufeja. E pra; a do t’i gjëmojë rufeja Putinit pas këtij dështimi qesharak?
Të shohim. Po mërzitja e korrupsionit të lartë shqiptar si do të vijojë? Kjo në fakt është komedi e krijuar nga të tremburit e mëdhenj të Shqipërisë. Dhe, frika do të rritet. Po korrupsioni i lartë shqiptar? Suksesi i Joe Biden -it me Rusinë do përshpejtojë spastrimin antikorrupsion në Ballkanin Perëndimor”, nënvizoi Ngjela.