Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova. Në Libohovë ai morri edhe arsimin fillor. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.
Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës.
Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.
Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.
Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.
Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe. /BalkanWeb