Deputeti Ervin Salianji ndërron avokatët me të cilët do të përfaqësohet në Apel.
Në seancën e radhës në këtë gjykatë, ku deputeti kundërshton dënimin me 1 vit burg, për të u paraqitën avokatët Redi Ramaj dhe Marash Logu.
Dy avokatët kërkuan kohë të njihen me dosjen, duke pretenduar se ishin caktuar vetëm ditën e djeshme.
Situata ngjalli reagim të avokatit të Geron Xhafajt, palë e dëmtuar në proces, që e konsideroi si përpjekje për zvarritje. “Shty ta shtyjmë u bë kjo punë”, tha avokati Ardian Visha.
Për t’i dhënë kohë avokatëve të njihen me dosjen, seanca u shty për më 25 korrik, ora 10:00.
Seancat e kaluara të shqyrtimit të ankimit të Salianjit në Apel kundër dënimit me 1 vit burg për akuzën e “kallëzimit të rremë” kanë dështuar, kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve, mungesa që janë arsyetuar me shkaqe objektive.