Olsi Rama, vëllai i kryeministrit ka depozituar një padi të dytë dje në SPAK ndaj deputetit të PD Gazment Bardhi, lidhur me kallëzimin e këtij të fundit se Olsi Rama ka lidhje me laboratorin e drogës të zbuluar në Xibrakë në vitin 2015.
Në kallëzim e Olsi Ramës, thuhet se ai i referohet një deklarate të Bardhit bërë publike për median online lidhur me Olsi Ramën. Sipas tij deklarimet e Bardhit përbëjnë elementë të veprës penale “Kallëzim të rremë”.
Padia e Olsi Ramës është dorëzuar ditën e djeshme, datë 15 maj në sekretariatin e Prokurorisë së Posaçme. Kjo është hera e dytë që Olsi Rama dorëzon një padi ndaj Bardhit, por herën e parë u refuzua nga SPAK pasi Bardhi nuk kishte bërë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme.
Këtë herë, Rama i referohet fillimit të hetimeve nga SPAK të bërë publike edhe nga Bardhi më datë 8 maj 2024.
“Në cilësinë e kallëzuesit, unë Ols Rama, jam vënë në dijeni për një deklaratë publike të shfaqur në median online ndaj personit tim, të bërë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kallëzuari Gazment Bardhi.
Për shkak se ky veprim i tij lidhet me deklarata të mëparshme ndaj meje të cilat, në vlerësimin tim, në tërësinë e tyre përmbajnë elementët e veprës penale të “Kallëzimit të rremë”, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, dhe më cenojnë pikësëpari mua si person duke më dhënë cilësinë e viktimës së veprës penale, bazuar në nenet 58 e 283 të Kodit të Procedurës Penale, paraqes këtë kallëzim penal me shkrim”, thuhet në dokumentin e depozituar.
Ndërsa shton: “Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. 2. Marrjen e akteve të materialit të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Tiranë, sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal”, thuhet në kallëzimin e Olsi Ramës.
Bardhi në SPAK më datë 24 maj
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme ka thirrur Gazment Bardhi për të dhënë dëshmi për dosjen Xibraka me datë 24 maj në orën 10:00. Bardhi u thirr për të shkuar në SPAK më 15 maj, për të dhënë sqarime për procedimin penal nr.88 të vitit 2024 lidhur me dosjen Xibraka, por seanca shty për shkak të një vizite të Bardhit në Bundestagun gjerman. “
Në vijim të kërkesës së Kreut të Grupit të PD Gazment Bardhi për pamundësinë për tu paraqitur nesër në SPAK, për shkak të një vizite zyrtare në Bundestag, ju informoj se z. Bardhi do të paraqitet më datë 24.05.2024, ditën e premte, ora 10:00, me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr. 88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr. 335/1 (dosja “Xibraka”), të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda, Tiranë” .