Shtatori pritet të sjellë skenarë dhune në Shqipëri, pasi presidenti Ilir Meta dhe partia e tij kanë kërcënuar dje hapur kryeministrin Edi Rama se do ta tërheqin zvarrë si Çaushesku dhe Gadafi.
Presidenti Meta prej kohësh ka lënë mënjanë qetësinë dhe është zhveshur totalisht nga kostumi presidencial, duke bërë opozitë më të fortë se vetë opozita. Por ditët e fundit ai ka shtuar sulmet dhe akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa revolucioni duket se është kryefjala e çdo deklarate të presidentit. Një deklaratë të tillë e ka bërë edhe ditën e djeshme në rrjetet sociale, në Ditën Europiane të kujtimit të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit.
“Në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit nderojmë të gjithë jetët e pafajshme të humbura nga krimet dhe terrori i dy ideologjive shkatërrimtare dhe bashkëndajmë dhimbjen me të gjithë ata që u mbijetuan burgjeve, internimeve dhe torturave çnjerëzore. Historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për Lirinë, Demokracinë, Të Drejtat dhe Dinjitetit Njerëzor. Një nga tiparet e regjimeve totalitare është fshirja e kujtesës historike, fillimisht nëpërmjet propagandës, e më pas edhe represionit.
Për mbi 4 dekada ne u shndërruam në Korenë e Veriut të Europës, ndaj kemi sot përgjegjësinë për të mbrojtur në çdo moment lirinë, demokracinë, pluralizmin e paqen sociale, që nuk na janë dhënë njëherë e përgjithmonë”, deklaroi ai. Po ashtu, Meta e ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me Arturo Ui, personazhin kryesor të dramës së Bertolt Brecht, ndërsa e akuzon për asgjësim të opozitës e kapje të drejtësisë.
“Dy kryeveprat botërore na mësojnë se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui, që i rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjësuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit”, nënvizoi Meta.
LSI kërcënon Ramën me tërheqje zvarrë si Çaushesku
Por më i ashpër është treguar nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Ky i fundit ka shfrytëzuar Ditën Europiane të kujtimit të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit për të kërcënuar kryeministrin Edi Rama. Vasili ka zgjedhur që statusin e të tij ta shoqërojë me foto nga ekzekutimet e diktatorëve, si Çaushesku, Gadafi dhe Duçja, duke paralajmëruar qartazi shefin e qeverisë shqiptare se e pret i njëjti fat si tre diktatorët e sipërpërmendur.
“Diktatorët kanë të njëjtin fund të tmerrshëm ne çdo kohë!! Sot në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të nazizmit e italianizmit në mënyrë të pashmangshme na vijnë në mend edhe diktatorët. Diktatorët në çdo kohë kanë pasur të njëjtin fund të tmerrshëm. Ata kanë paguar deri në një mizoritë, dhimbjet e thella dhe hidhërimin e madh që u kanë shkaktuar qytetarëve.
Qofte shekulli i 20 apo i 21 ndëshkimi për diktatorët nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon…! P.S. Këto foto janë kujtesë për çdo të çmendur të kohëve tona që ka ëndërr diktaturat. Kujdes”, shkruan Vasili në Facebook. Pra këto thirrje dhe kjo gjuhë e ashpër tregon qartë se me fillimin e vjeshtës, klima politike jo vetëm që pritet të acarohet, por dhuna dhe debatet do të jenë kryefjala, nisur nga këto deklarata të forta bëra nga presidenti Meta dhe LSI.
Kujtojmë që në fotot e publikuara nga Vasili është varje nga partizanët e diktatorit fashist, Benito Musolini dhe e gruas së tij në vitin 1945, vrasja e Nikola dhe Elena Çausheskut në Rumani në vitin 1989 dhe vrasjen e drejtuesit gjakatar të Libisë në vitin 2011, Muammar Gedafi.