Merima duket shumë më e re se sa në të vërtetë është. Dhe në këtë gjendje, ajo e ka nën kontroll jetën e saj dhe të pesë vajzave. Shkolla, foshnjorja, dentisti, psikologu, puna e pjesërishme dhe aktivitetet e kohës së lirë: Është dashur një kohë e gjatë përderisa ajo dhe vajza e saj të gjenin të gjitha kontaktet e duhura. Dhe tani gjithçka është duke funksionuar, me përjashtim të një problemi.
Merima me fëmijët nuk po mund të gjejnë banesë. Më tepër se një vit e gjysmë, familja nga Kosova është duke jetuar në qendrën për mbrojtjen e grave, pasi askush nuk u jep me qira banesë.
As qendra e banesave urbane (WWS), as ndonjë shoqatë tjetër banesore, e as ndonjë qiradhënës privat. Merima me fëmijët e saj do të vendoseshin edhe në ndonjë banesë më të vogël.
“Ende nuk kemi pasur ndonjë rast të ngjashëm”, pohon Daniela Albrink, e cila punon me orar të plotë në këtë qendër të rrethinës Herford, duke aluduar në kohën e gjatë prej kur Merima është duke kërkuar banesë. Kjo qendër është themeluar para 38 vitesh, shkruan “Neue Westfälische Zeitung”, përcjell Albinfo.ch.
Problemi mund të qëndrojë në faktin se Merima është përkujdesëse e vetmuar e fëmijëve dhe përkundër punës së saj, është e varur nga përkrahja sociale e komunës. Ose ndoshta pse ajo ka pesë fëmijë, apo pasi ajo është me prejardhje nga Kosova.
Mirëpo, qiradhënësit potencial nuk e pohojnë këtë fakt, ata thjesht, nuk paraqiten më. Apo edhe kërkojnë pretekste. Merima me fëmijët, të cilët janë të moshës prej 3 deri 14-vjeçare, më herët ka jetuar në Dortmund.
Burri i saj ka qenë i dhunshëm, duke e rrahur për 14 vite me radhë. Kur në vitin 2016, gjatë pushimit në Kosovë, ai nga Gjermania e paralajmëroi për dhunë të mëtutjeshme, Merima nuk u kthye më tek ai. Madje, nuk qëndroi as në të njëjtin qytet. Për këtë arsye, policia gjermane është interesuar në gjithë krahinën e NRW për një vend për familjen gjashtë-anëtarëshe. Pas një radio apeli, më në fund Merima me fëmijët u strehuan në një qendër refugjatësh. Por, vetëm për dhjetë ditë, pasi ata nuk ishin refugjatë.
Për fat të tyre, në qendrën për mbrojtjen e grave në Herford ishin liruar dy dhoma. “Ishte një rastësi e vërtetë”, ka pohuar Albrink, pasi në të gjithë krahinën e NRW-së, këto qendra janë gjithnjë të sëtrmubushura.
Mirëpo, edhe këtu koha e qëndrimit është e kufizuar dhe parasheh një periudhë prej tre deri në gjashtë muaj qëndrim. Merima me fëmijët është adaptuar në këtë rreth, por dëshira e saj dhe e fëmijëve është që të kenë një banesë normale.