Në një kohë që niveli i përgjithshëm i kënaqësisë dhe perceptimit të situatave sociale dhe ekonomike të shqiptarëve nuk ka ndryshuar shumë me një vit më parë, gjetjet e Barometrit të Ballkanit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, rikonfirmojnë se shqiptarët janë ndër më të pakënaqurit mes vendeve të rajonit. Ky është një publikim i përvitshëm, të paktën që prej vitit 2015 dhe jep një panoramë thuajse 360 gradë mbi shumë aspekte të jetës dhe mirëqënies së popullsive në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Barometri i Ballkanit vjen në formën e një ankete, dhe pyetjes së parë, asaj të nivelit të kënaqësisë me situatën e përgjithshme ekonomike, 50% e shqiptarëve i përgjigjen “i pakënaqur”. Kjo normë është e ndarë mes atyre shumë të pakënaqur dhe atyre të pakënaqur. 24% e shqiptarëve të anketuar i përgjigjen si të kënaqur, dhe 26% kanë përgjigje neutrale.
Me 50% të pakënaqur, shqiptarët janë mbi mesataren e rajonit, që fiksohet pranë 44% dhe më mirë vetëm se Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Një tjetër pyetje ndërkohë i referohet situatës financiare të familjes së tyre, dhe 42% e shqiptarëve përgjigjen si të pakënaqur, duke u renditur të dytët në rajon, vetëm pas Maqedonisë së Veriut, me një normë pranë 43%. Vetëm 29% e të anketuarve nga Shqipëria shprehen si të kënaqur me situatën financiare të familjeve të tyre, dhe 28% janë përgjigje neutrale. Krahasuar me vitin e kaluar, situata duket e pandryshuar në këtë drejtim.
Por, ajo që bie më së shumti në sy ndër pyetjet që i drejtohen qytetarëve është ajo e çmimeve. 93% e shqiptarëve shprehen të pakënaqur me këtë situatë. Kjo normë është më e larta në rajon, madje, ndjeshëm larg mesatares së rajonit, që fiksohet pranë 75%. Ndjekësi jonë më i afërt është Mali i Zi, me 85% të qytetarëve të pakënaqur me situatën e çmimeve. Për Shqipërinë norma e të pakënaqurve është edhe më e lartë se vitit 2022, kur kulmunte dhe kriza e çmimeve.
Edhe sa i përket mundësive për punë, duket të jemi më të pakënaqruit në Ballkanin Perëndimor, me 70% të të anketuarve që i përgjigjen me pakënaqësi pyetjes, dhe vetëm 9% të kënaqur. Edhe në këtë drejtim duket të jemi larg mesatares së rajonit. Në të dyja rastet, si për çmimet, ashtu edhe për mundësitë për punë, qytetarët e Kosovës duklet të jenë ata më të kënaqurit krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Në pjesën dërrmuese të indikatorëve mbi cilësinë e jetesës, mirëqënien dhe pritshmëritë për të ardhmen, norma e pakenaqësisë në Shqipëri duket të jetë më e lartë se mesatarja e rajonit.(Roel Korkuti)