Bashkimi Europian ka reaguar pas deklaratave për politikanët e Kosovës, të kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiç.
Sipas saj në Kosovë ka zyrtarë shtetërorë që vërtet kanë dalë prej malit. BE ka konsideruar se secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe ndarëse, është kundër frymës së bashkëpunimit dhe pajtimit që i duhet rajonit për të ecur përpara.
Zëdhënësja e shefes së Punëve të Jashtme të BE-së Federica Mogherini, Maja Kocijançiç, tha se ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve dhe se status-quoja nuk është mundësi.
Pas deklaratës së kryeministres serbe gjatë ditës ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, është një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës.
Bërnabiç i bëri këto komente në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, kur ky i fundit i dorëzoi Progres-Raportin për Serbinë.
Presidenti Thaçi ka kërkuar nga BE që të dënojë dhe të distancohet sipas tij nga kjo gjuhë raciste e zyrtarëve të Serbisë, e cila nxit urrejtje dhe minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.
Kujtojmë se Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së në vitin 2011. Procesi i bisedimeve aktualisht ka ngecur, për shkak të taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.