Aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku bëri një monolog me tone të revoltuara mbrëmjen e djeshme në emisionin e humorit ‘Kopsherja’.
Kallaku shprehu hapur revoltën ndaj indiferencës së shqiptarëve, të cilët nuk ngrenë zërin për çështjet e rëndësishme për ta që nga lumi Vjosa, te taksat dhe deri te ngjarja tronditëse e ditëve të fundit, ku një 15 vjeçare nga Lezha përdhunohej prej muajsh nga pesë burra.
Kallaku gjatë monologut të tij tha se shqiptarët nuk protestojnë për të drejtat e tyre, por kanë më shumë interes e çështjet e show-bizit.
“Neve jemi popull që nuk na ndihet zëri i gojës more. Neve na vrit, na vidh, na rrjep, nuk çohemi ne fare, sa do të na vrasësh. Ne çohemi, po patë luftë Palestina me Izraelin, jo atëherë dalim në protestë ne shqiptarët mo vëlla. Këtu Vjosa që është lumi më i egër në Europë, lumi i fundit duan ta bëjnë hidrocentral mo vëlla, nuk çohemi ne.
Nuk çohet shqiptari me ndalu hidrocentralin në Vjosë, ama po u prekën pyjet në Amazonë po. Këtu lumenjtë janë aq të ndotur sa të gjithë fabrikat i derdhin mbetjet e tyre në tunel dhe po na del peshku me katër koka, si oktapod. Nuk çohemi ne”. Nuk çohen shqiptarët të protestojnë, shqiptarët kanë hallin e Teas, të Andit dhe të Beartit. Kanë hallin ku i bëri pushimet ky apo ai. Kur nuk protestojnë për mostra që përdhunojnë me minorene, me 15 vjeçare atëhere e keqja do e marrë para këtë vend dhe gjithë shoqërinë shqiptare.”, tha Besi.