Deputetja demokrate, Rudina Hajdari, e ka “shkundur” kreun e PD-së Lulzim Basha, gjatë një interviste për një nga mediat e shkruara.
Sipas Hajdarit, rruga më e shkurtër nuk të çon detyrimisht drejt fitores, ndonjëherë ajo kthehet në rrugën më të gjatë.
Me këtë deklaratë ajo ka shenjëstruar opozitën joparlamentare e cila me djegien e mandateve braktisi institucionet.
“Vërtet kemi akoma institucione të gjymtuara, por një gjë do mbahet mend, që opozita parlamentare demokrate zgjodhi rrugën e drejtë, e cila për herë të parë dha shembullin e një opozite që i tha jo vendimit për thellim të krizës dhe bojkotit total parlamentar. Shqiptarët kanë duruar mjaft me opozita që sillen njësoj dhe kërcënojnë me bojkote të vazhdueshme”, është shprehur Hajdari për gazetën Shekulli.
Sipas Hajdarit, çdo krizë politike por edhe qeveri tranzitore ndihet në kurriz të qytetarëve, që nga bllokimi i biznesit dhe krijimi i situatave të pasigurta, që kanë ndikim tek çdo qytetar.
“Një opozitë që nuk merr pjesë në Parlament dhe në zgjedhje, në proceset demokratike për ‘hir të popullit’ nuk ka sens logjik. Nuk është dëgjuar kurrë një gjë e tillë në historinë e shumë vendeve, dhe nuk kishim pse të merrnim këtë rrugë pa mbështetjen e aleatëve tanë kryesor dhe tanimë, duket qartë, edhe pa mbështetjen e demokratëve të shumtë.
Jemi përballë një qeverisje skandaloze, që prej 6 vitesh nuk ka prodhuar asgjë të prekshme për Shqiptarët dhe Shqipërinë, por përkundrazi ka qenë një ndër qeveritë më me shumë pushtet që prej 90’s dhe përsëri ka zgjedhur të pasurojë vetveten dhe jo Shqipërinë. Një opozitë që bojkoton vazhdimisht, nuk bën gjë̈ tjetër, përveç̧ se e forcon akoma dhe më shumë pozicionin e Partisë Socialiste”, është shprehur më tej Hajdari.
Ndër të tjera ajo ka folur për prioritetet opozitës parlamentare në sezonin e ri, ka thënë se vëmendje të posaçme do të kenë ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe të drejtësisë.
“Ndaj, ne zgjodhëm rrugën e duhur, atë të përballjes dhe jo braktisjes së mandateve që i përkasin popullit dhe jo tekave politike. Opozita duhet të punojë drejt maturimit politik dhe të zotërojë intelektin e duhur për të paraprirë shpresën dhe vizionin e asaj që do të vijë në të ardhmen, duke ushqyer mbështetjen e aleatëve dhe duke treguar besueshmëri për vizionin që ka. Në funksion të kësaj, ne jemi pro krijimit të institucioneve të pavarura, Reformës në Drejtësi, si dhe zgjidhjeve pa presione partiake dhe pa kontestime, por me platforma dhe ide të reja”, ka thënë deputetja Hajdari.