Shqipëria po i hap zyrtarisht dritën jeshile fondeve të mëdha të investimeve evropiane, ndërkohë që prej kohësh së paku dy prej tyre kanë shprehur interes për të qenë prezentë në vend. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka nxjerrë për konsultim publik dokumentin që rregullon mënyrën si ata do regjistrohen dhe si do operojnë në Shqipëri.
Më specifikisht, Projektrregullorja ka qëllim përcaktimin e procedurës, rregullave dhe dokumentacionit për njohjen e administruesit të fondeve të investimeve alternative të licencuar në një vend anëtar të BE-së dhe miratimin e regjistrimit të këtyre fondeve që do t’u marketohen dhe shiten investitorëve profesionist dhe të kualifikuar në Republikën e Shqipërisë.
Rregullorja përcakton kritere strikte sa i përket transparencës së këtyre fondeve dhe mënyrës si operojnë. Prospekti që do i vihet në dispozicion investitorëve në Republikën e Shqipërisë, duhet të përmbajë një Shtojcë me informacionin lidhur me mënyrën e marketimit dhe shitjes së aksioneve ose kuotave të fondit të investimeve alternative të miratuar në një vend të BE-së në Republikën e Shqipërisë.
Prospekti që u vihet në dispozicion investitorëve, hartohet në gjuhën shqipe dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të agjentit të regjistruar, nëpërmjet të cilit administruesi i njohur mund të marketojë dhe të shesë kuotat e fondit të investimeve alternative.
Autoriteti, gjatë procesit të njohjes së administruesit të fondeve të investimeve do shqyrtojë informacionin e nevojshëm lidhur me to, si dhe nëse ekzistencën e një marrëveshjeje me objekt bashkëpunimin e duhur mbikëqyrës midis autoritetit rregullator të vendit të BE-së të administruesit të fondeve të investimeve alternative të miratuar në një vend anëtar të BE-së, dhe Autoritetit.
Po ashtu, AMF do marrë në shqyrtim, masat e nevojshme për pagesën në Republikën e Shqipërisë të investitorëve për shlyerjen e aksioneve ose kuotave të fondeve të investimeve alternative dhe vënien në dispozicion të informacionit për investitorët që shoqëria harton dhe përgatit, sipas rregullave të vendit të saj të origjinës të ndërmarra nga Administruesi i fondeve të investimeve alternative të miratuar në një vend anëtar të BE-së.