Koalicioni për Gratë në Gazetari kërkon ndihmën e Shqipërisë në strehimin e gazetareve afgane në vendin tonë.
Kiran Nazish, themeluese dhe drejtore e këtij koalicioni me qendër në Kanada, në një prononcim për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu shpjegon se përse iu drejtua kryeministrit Edi Rama.
Kiran Nazish: Që kur Talebanët morën nën kontroll Afganistanin, ne nga Koalicioni për Gratë në Gazetari jemi përfshirë në evakuimin e grave gazetare, akademikëve përfshi gratë aktiviste të shoqërisë civile. Ne po shikojmë dhe po punojmë me shumë vende për gjetjen e rrugëve të sigurta për kalimin e këtyre grave e në të njëjtën kohë të kemi një vendqëndrim të përkohshëm për këto gra gazetare dhe akademike.
Shqipëria është prej vendeve kyçe dhe për këtë ne kemi dërguar kërkesën tonë tek kryeministri të Shqipërisë Edi Rama. E kemi bërë këtë edhe për faktin se në emërimet e qeverisë së re shqiptare 70% janë ministre femra. Ne e marrim këtë si një shenjë domethënëse që kryeministri Rama vlerëson rëndësinë e grave në pozicionet qeverisëse, politikë dhe shoqëri.
Kiran Nazish thotë se “gratë që ne po mundohemi të marrin nën mbrojtje janë gazetare, politikane, nga sporti dhe bota akademike pra ato që janë në pozita për të udhëhequr.
Kiran Nazish: Me ardhjen e talebanëve jetët e tyre janë në rrezik. Prandaj ne i kërkuam qeverisë shqiptare të marrë në konsideratë dhënien e mbrojtjes së përkohshme për këto gra të cilat nuk ndjehen të sigurta nën regjimin e ri. Kërkesa jonë dërguar kryeministrit Rama është strehimi 100 grave afgane të cilat kanë pasur një rrol të rëndësishëm në ndryshimin e shoqërisë afgane.
Deri më tani Shqipëria ka strehuar 644 qytetarë afganë.