Sipas projektligjit të qeverisë socialiste, palët (institucione shtetërore, qeveri, subjekte private, etj., kanë të drejtë të përcaktojnë numrin e gjyqtarëve të zgjidhjes së mosmarrëveshjes në arbitrazh, që duhet të jetë numër tek.
Por, ajo çfarë vlen për t’u theksuar, është fakti se këto vendime që do merren nga gjykata shqiptare të arbitrazhit, nuk do jenë të formës së prerë, pasi mund të rrëzohen nga gjykata tona të apelit (Apeli i Tiranës, Apeli i Gjykatës së Lartë, etj.).
Kujtojmë që kryeministri Edi Rama në 7 prill paralajmëroi se Shqipëria do të dalë nga Qendra Ndërkombëtare e Konflikteve të Investimeve pranë Bankës Botërore (ICSID) pasi vendosi dëmshpërblim 108 milionë euro në favor të biznesmenit italian Francesco Becchetti.
Çfarë përcakton projektligji?
Projektligji përcakton se objekt i një marrëveshjeje arbitrazhi mund të jetë çdo pretendim pasuror ose kërkesë që rrjedh nga një marrëdhënie pasurore, me përjashtim të rastit kur legjislacioni i posaçëm e ndalon zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet arbitrazhit. Gjykatat e arbitrazheve do kenë një ose disa gjyqtarë, gjithmonë numër tek. Këto gjykata do krijohen në datën që arbitri i vetëm ose të gjithë arbitrat pranojnë detyrën.
Kur refuzohen vendimet e arbitrazheve ndërkombëtare?
Megjithatë, Konventa e Njohjes dhe Zbatimit të Dëmshpërblimeve Arbitrare të Huaja e Nju Jorkut, e ratifikuar nga Shqipëria në 2001, lejon disa hapësira ku vendimet e arbitrazheve të huaja të mos zbatohen në një shtet tjetër. Këto raste mund të jenë:mosmarrëveshja nuk mund të jetë në juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit që ka dhënë vendimin; kur palët në marrëveshjen e arbitrazhit, në bazë të ligjit të zbatueshëm për to, nuk kishin zotësi të plotë për të vepruar, kërkesëpadia nuk i është njoftuar palës tjetër në mungesë; objekti i mosmarrëveshjes nuk mund të zgjidhet me arbitrazh sipas legjislacionit shqiptar, apo kur ekzekutimi i vendimit do të ishte në kundërshtim me rendin publik.
Manja: Arbitrazhet shqiptare do ofrojnë zgjidhje më të shpejtë të kontradiktave
Në 20 prill, ministria Manja dha lajmin se Shqipëria do krijojë gjykatat e saj të posaçme të arbitrazheve. Ai e mbrojti këtë projektligj, me pretendimin se do të ofrohet zgjidhje më e shpejtë e konflikteve shtet-privat për konflikte investimesh.
“Me këtë projektligj tashmë ne japim mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve qoftë mes shtetit dhe privatit, apo mes privatëve me njëri-tjetrin duke u bazuar tërësisht në autonominë e vullnetit të palëve. Është një zgjidhje e shpejtë, eliminon formalitetet, por njëkohësisht përmbush dhe detyrimin që burojnë nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare”, deklaroi Manja.
Shqipëria përballë “cunamit” të arbitrazheve, paditet dhe nga 2 kompani të huaja
Ky vendim vjen pasi javët e fundit, shteti shqiptar humbi gjyqin në Qendrën Ndërkombëtare të Konflikteve të Investimeve të Bankës Botërore me biznesmenin italian Francesco Becchetti, duke u detyruar ta paguajnë 108 milionë euro.
Gjithashtu, dy kompani të huaja “EMS Shipping&Trading GmbH” (gjermane) dhe “Ivicom Holding” kanë paditur shtetin tonë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg dhe Dhomën Suedeze të Tregtisë për koncesionet e menaxhimit të Terminalit Lindor në Portin e Durrësit dhe anulimin e lejes mjedisore për ndërtimin e termocentralit në Zëmblak të Korçës.
Dy kompanitë kërkojnë respektivisht 200-300 milionë euro dhe 150 milionë euro. Shqipërisë i është krijuar një “gropë” e madhe ekonomike nga arbitrazhet e humbura. Vlera e dëmshpërblimeve mund të arrijë shifrën 1 miliard euro. Pas vendimit për Becchettin, kryeministri Edi Rama kërcënoi se do tërheqë Shqipërinë nga ICSID.