Administrata publike ka hapur rreth 1714 vende të reja vakante për të gjithë të rinjtë që duan të bëjnë praktikë pune 3 mujore në 15 institucione shtetërore dhe 110 institucione varësie. Urdhri i Ministres së Shtetit për Rininë i botuar në Fletoren Zyrtare , shpall “thirrjen e tetë”, në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës , pjesë e së cilës janë edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqëritë tregtare dhe organizatave jofitimprurëse. Procesi i rekrutimit do të kryhet pas aktivizimit i platformës online për aplikim: https://praktika.riniafemijet.gov.al.
Shpallja e thirrjes i dërgohet institucioneve, të cilat kanë për detyrim ta publikojnë në faqet e tyre zyrtare dhe mediat sociale. Procesi i aplikimit fillon në datën 1 qershor 2023 dhe përfundon në 30 qershor 2023. Por cilat janë kriteret e aplikimit?
Aplikantët duhet të jenë nga mosha 21-26 vjeç; Duhet të jenë minimalisht të diplomuar në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, deri në datën 1 shtator 2023; nuk duhet të kenë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme, pasi qëllimi i tij është ofrimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale e të shprehive të tyre praktike, në njohje me sistemin administrativ publik, shoqëritë tregtare dhe organizatat jofitimprurëse. Programi Kombëtar i Praktikës së Punës, thirrja e tetë, do të zgjasë 3 muaj dhe fillon më 1 Shtator deri më 1 Dhjetor 2023.
Praktikanti do të kryejë praktikën e punës pranë institucionit ku është pranuar, çdo ditë, nga e hëna deri të premten, orar zyrtar dhe që të certifikohet për përfundimin me sukses të programit, duhet të ketë marrë pjesë minimalisht në 80 % të periudhës së zhvillimit të programit.
Një ditë më parë, INSTAT njoftoi hapjen e 7 mijë vendeve vakante të punës për realizimin e Censusit të popullsisë, çka bën që në total përgjatë kësaj periudhe vetëm nga këto dy programe të jenë rreth 10 mije vende të lira pune.(Elisabeta Dosku)