Nga Blendi Kajsiu
Tashmë që Basha dhe opozita e tij mbaruan punë me fabulën e “masakrës elektorale”, dhe me fillimin e funksionimit të SPAK, gjithnjë e më tepër po del në pah ajo që shqiptarët e dinin prej kohësh, nivelet e larta të korrupsionit në qeverisjen aktuale. Në fakt, nuk ka asgjë të re, pagesë për një vend pune, tenderë të manipuluar apo partneritete PPP që kapin dhe rrjepin buxhetin e shtetit në funksion të privatëve. Dhe pikërisht këtu është problemi, te banaliteti i stërnjohur i korrupsionit.
Tri dekada pas rënies së komunizmit, nivelet e korrupsionit në funksionimin e administratës publike mbeten tejet të larta, ndërkohë që kapja e shtetit prej aktorëve dhe bizneseve private duket se është rritur. Është e vërtetë që korrupsioni i qeverisjes aktuale nuk ka spektakularitetin e Gërdecit apo të videove të Metës. Ama, kjo nuk e bën atë më pak të rrezikshëm.
Ai është dëshmi e mosrealizimit të një nga premtimeve më të mëdha të qeverisjes Rama: ndërtimi i një shtetit modern. Korrupsioni aktual është produkt i nënshtrimit të shtetit dhe administratës publike ndaj ndërhyrjes politike dhe qeverisjes autoritare të vetë Ramës. Dhe kjo nuk është diçka që e zgjidh teknologjia apo portale si e-Albania.
Më shumë se te ligji, te respekti për institucionet apo për administratën publike, qeverisja Rama bazohet te vullneti i kryetarit të saj. Mënyra se si u shemb Teatri Kombëtar e tregoi shumë qartë këtë fakt (edhe pse personalisht nuk hyj te fansat e asaj godine). Ligji u përkul deri në thyerje për t’iu përshtatur vullnetit të Ramës.
Kemi të bëjmë me një qeverisje thellësisht voluntariste dhe joinstitucionale. Kjo do të thotë që vullneti i liderit është legjitimiteti dhe gazolina e vetme që ushqen motorin e qeverisjes. Figurat e tjera në kabinetin Rama janë thjesht instrumente apo zgjatime të vullnetit të tij. Po kështu edhe institucionet që varen prej tyre.
Ndryshe nga liderë të tjerë autoritarë, si: Erdogani, Putini apo Victor Orban (pa përmendur një sërë liderësh autoritarë në Amerikën Latine, si Correa në Ekuador, Uribe në Kolumbi, Kirchner në Argjentinë, apo Chavez në Venezuelë që kanë prodhuar correizmin, uribizmin, kirchnerizmin dhe chavizmin), vullneti i Ramës nuk përfaqëson dhe as nuk shpreh qartë ndonjë ideologji, frymë, vizion apo shtresë sociale specifike.
Ramizmi dhe ramistët nuk ekzistojnë, as si frymë dhe as si ideologji apo shtresë sociale. Kjo është një nga arsyet se përse Rama e ka të vështirë të prodhojë një regjim autoritar si në Rusi, Turqi, Hungari apo në mjaft vende të Amerikës Latine, ku lideri autoritar përfaqëson diçka më shumë se egon personale.
Ajo që ekziston është vullneti erratik i individit Rama që e përdor pushtetit si instrument për vetërealizimin e tij personal. Pushteti është skena ku Rama shfaqet si artist. Një model qeverisje që materializohet në një one man show, ku producenti, regjisori, skenaristi dhe aktori i shfaqjes është Rama.
Në shfaqjen e tij plot batuta, Rama luan të gjitha rolet; është socialist dhe neoliberal, është pushtetar, por edhe opozitar, është pro Europës, por edhe pro Erdoganit, nacionalist dhe kozmopolitan, modern, por edhe xhajë me brekushe, është një familjar shembullor, por edhe libertin antikonservator, është politikan, por edhe antipolitikan, është shkodran, tirons, durrsak, por edhe vlonjat.
Në fakt, vetë Rama në mënyrë transparente dhe me arrogancë e propagandon këtë model. Sukseset nuk janë të qeverisë apo të shtetit shqiptar, por të tijat personale. Projektet e qeverisë Rama shfaqen si produkte të vullnetit të tij personal shpesh pa asnjë proces demokratik konsultimi, ekspertize apo transparence.
Ai shpall transformimin e Durrësit në Dubai pa u penguar nga vogëlsira si studime fizibiliteti apo konsultime me qytetarët që do preken nga ky transformim. Ai, jo trupa diplomatike, doli nëpër botë dhe lypi para dhe vaksina për popullin pas tërmetit dhe pandemisë. Ai inspekton personalisht punimet te lungomare në Vlorë. Ai nxjerr Policinë në aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në plazh.
Është një model që e paralizon shtetin dhe administratën publike si në nivel lokal, edhe qendror. Për të vepruar, ajo duhet më parë të lexojë vullnetin e Ramës, direkt apo nëpërmjet të deleguarve të tij dhe jo germën e ligjit apo të rregullores. Është shteti i Maliqit më shumë se i ligjit.
Ironia e modelit voluntarist të Ramës është që vetë lideri prodhon një shtet të dobët që nuk e kufizon pushtetin e tij dhe që pikërisht për këtë arsye është i paaftë të eliminojë korrupsionin. Më pas, ai shfaqet si shpëtimtar i popullit duke përballur, kërcënuar dhe qortuar administratën e korruptuar që nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve.
Nuk është një model i ri. Është e njëjta qeverisje që kemi parë te Berisha apo Meta, vetëm se Rama e ngjyros dhe e shet më bukur, ndërkohë që e ka çuar në ekstrem personalizimin e qeverisjes. Mbetet një model që prodhon degradimin e shtetit edhe pse justifikohet vazhdimisht me fabulën e së keqes më të vogël me vepra infrastrukturore apo me premtimet e integrimit euroatlantik.
Në këtë pikë, mbështetësit e Ramës me të drejtë do më kundërshtojnë me reformën e sistemit të drejtësisë, si një shembull i qartë i ndërtimit të shtetit dhe kufizimit të pushtetit nga Rama. Ama, kjo reformë më shumë se meritë e qeverisë Rama është produkt i presionit, kushtëzimit dhe vullnetit të ndërkombëtarëve, nga SHBA deri te BE-ja.
Është një nga absurditetet e mëdha të skenës sonë politike që opozita ia veshi Reformën e Drejtësisë Ramës, duke i dhënë atij meritën kryesore për një nga reformat institucionale më të suksesshme të tranzicionit, që e ka pastruar më thellë sistemin tonë të drejtësisë se të gjitha reformat e 30 viteve të fundit. Aq sa sot po merret si shembull për fusha të tjera. Po flitet për veting në politikë, polici, biznes, edukim etj.
Paradoksi qëndron në faktin se nuk është as detyra dhe as kompetenca parësore e Kryeministrit të reformojë një pushtet të pavarur si gjyqësori. Detyra kryesore e ekzekutivit është të ndërtojë shtet duke forcuar administratën publike, institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike që varen prej tij.
Është detyrë e Kryeministrit të ndërtojë një administratë dhe institucione shtetërore që prodhojnë sa më pak korrupsion, ku tenderët nuk vidhen, postet nuk blihen, ku ka meritokraci dhe ku shtetit nuk zhvatet me PPP. Këtë detyrim ai nuk mund t’ia transferojë sistemit të drejtësisë dhe aq më pak SPAK-ut, që janë korrektues, por jo ndërtues të një administrate të pastër.
Pikërisht në këtë detyrim parësor të saj, qeverisja Rama ka dështuar, edhe pse me të drejtë krenohet me pastrimet në sistemin e drejtësisë. Praktikat korruptive dhe kapja e shtetit vazhdojnë të gëlojnë në administratën, institucionet dhe ndërmarrjet tona publike, sikurse e tregojnë një sërë raportesh ndërkombëtare. Pa folur për penetrimin e tyre, në mënyrë direkte apo indirekte, nga elementë kriminalë, sidomos në nivel lokal.
Pa dyshim që qeveria Rama ka ndërtuar pedonale, aeroporte, spitale dhe rrugë. Pa dyshim që me sukses po rindërton qytezat e shkatërruara nga tërmeti. Dhe ndoshta një ditë Durrësi do kthehet në Dubai. Por shpëtimi i Shqipërisë nuk vjen nga ndërtimi i betonit, por nga ndërtimi i shtetit. Betoni pa shtet prodhon thjesht betonizim.