Kryeministri Edi Rama i dorëzoi live në një konferencë për shtyp komisionerit të BE për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič kërkesën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm.
“Janë domethënëse rastet që mund të kujtojmë në lidhje me asistencën që ky mekanizëm i ka dhënë Shqipërisë. Tërmeti është një moment me peshë në këtë mbështetje por edhe çfarë pasoi me pandeminë përsëri ishte mbështetja e këtij unioni të mbrojtjes civile që na i lehtësoi plagët dhe na lehtësoi përballjen me armikun e padukshëm.
Edhe falë ndihmës së komisionerit ne kemi marrë ndihmë nga ky mekanizëm në përballjen me zjarret e rënda të vitit të shkuar ku mjetet e rënda që u përdorën nga shtete si Holanda apo Cekia u përkisnin këtij mekanizmi. Europa këtë mekanizëm e ka ngritur për të përballur së bashku ndikimin e ndryshimit të klimës dhe pasojat e ndryshimit të klimës në mjedisin tonë. Jo vetëm kaq por për të përballur bashkë krizat e rënda. Ky mekanizëm është në krye të përpjekjes për të garantuar mbështetje të madhe për Ukrainën.
Çdo gjë që nuk është armatim i mbulon ky mekanizëm. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë BE të mbrojtjes civile që funksionon me këtë mekanizëm është një hap domethënës dhe një lehtësim i madh për ne duke pasur parasysh nevojat që kemi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë por edhe për të dhënë. Dua të falenderoj komisionerin. E pamë të udhës që dorëzimin e letrës së interesit për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë union ta bëjmë edhe publikisht nëpërmjet meje..”, tha Rama.