Në ceremoninë e pritjes zyrtare të mandatit të fituar të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, në fjalën e tij kryeministri Edi Rama deklaroi se kjo është një arritje e madhe për Shqipërinë dhe Ballkanin.
Sipas tij, besimi i vendeve të OKB tregon që Shqipëria është rritur dhe mund të bëjë akoma më shumë.
“Zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është jo thjesht një sukses i madh, më i madhi për nga përmasat e impaktit në historinë e diplomacisë shqiptare, por edhe një arsye për të kuptuar se Shqipëria mund dhe duhet të bëjë më shumë për veten dhe për tjerët, sidomos për rajonin tonë.
Kjo e Shqipërisë është një arritje domethënëse edhe për Ballkanin Perëndimor, që është ulur në tryezën e përfaqësueses më të madhe në botë vetëm një herë”, u shpreh ai. Sakaq Rama u shpreh se vendi ynë dhe vendet e tjera të Ballkanit po japin kontribut në BE edhe pse nuk janë ende pjesë e saj.
Sipas tij, përpjekjet dhe vlerat e Shqipërisë kanë krijuar hapësirën për të pritur mbledhjen e parë ndërqeveritare. “Më bëri një vërejtje të bukur një mendje e kthjellët “Vlerat që ti i quan europiane nuk janë të BE, por universale”.
Shumë e vërtetë në fakt sepse po të ishte se vlerat universale do të ishin në sfidë e vazhdueshme e BE, sot Kosova nuk do të ishte e penguar për lëvizjen e lirë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të ishin duke pritur datën e një konferencë në “Zoom”. Ballkani nuk do të ishte i ndarë deri tek vaksinat kundër vdekjes nga BE. Megjithatë kjo në asnjë mënyrë për të thënë se të jesh i rrethuar nga BE është më keq se të jesh i rrethuar nga tela me gjemba, brenda të cilëve ishte izoluar ky vend kur u anëtarësua në OKB”, deklaroi Rama.