Festë në “Air Albania”. Si rrallë në histori, Shqipëria ka treguar forcën në ndeshjen më vendimtare të saj. Stadiumi i stërmbushur ka gumëzhirë nga brohorimat e gëzimit të tifozëve shqiptarë. Shqipëria ka mposhtur me shifrat e pastra 2-0 Poloninë, e cila u zhduk në “flakët e ferrit” shqiptar.
Polakët gjetën të parët golin e avantazhit, por VAR-i i ngriu buzëqeshjet në fytyrat e lojtarëve. Arbitri spanjoll sinjalizon pozicion jashtë loje, e bashkë me të edhe fundin e momentit të mirë të bardhekuqve. Jasir Asani realizon një perlë me të majtën e tij në minutën e 37, duke bërë që stadiumi të shpërthejë në festë.
Një festë që vazhdoi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes. Mirlind Daku tregoi dhëmbët e tij sapo hyri në fushë, kur shkundi rrjetën që në askionin e parë të tijin.
Sulmuesi shqiptar shpërtheu në lot, të cilët janë dëshmia e qartë e dëshirës së madhe dhe dashurisë për fanellën. Kaq mjaftoi që Shqipëria të siguronte në fund tre pikët, duke u renditur e para në grupin E dhe duke bërë të gjithë shqiptarët të ëndërrojnë. Shqipëri, të lutem mos na zgjo.