Detaje të reja janë zbuluar nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi pasditen e sotme (1 mars) në një ndërtesë në Lushnje, ku humbi jetën një person dhe u plagosën nëntë të tjerë, mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Mësohet se vinçi që po kryente punimet ka bërë kontakt me tensionin e lartë 20 mijë volt e për këtë shkak ka ndodhur edhe shpërthimi.
Viktima i identifikuar si Landi Verçani ishte manovratori i vinçit, ndërsa të lënduarit e tjerë, disa prej të cilëve janë dërguar në spitalin e Traumës ishin punëtorë të tjerë.
Deputeti i zonës Bujar Çela i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, po ndiqte punimet.
Në vendin e ngjarjes, mbërriti edhe ministri i Brendshëm, Tualant Balla, i cili po ashtu shkoi edhe në spitalin e Lushnjes, ku ishin disa prej të plagosurve, mes tyre edhe deputeti.