Shpërthejnë përplasjet brenda selisë së Partisë Demokratike sa i takon skenarëve të ndjekur pas djegies së mandateve. Çdo ditë që kalon aksioni opozitar po zbehet dhe kjo ka vënë në alarm Berishën, Kryemadhin e Metën, pasi frika më e madhe e tyre është se e gjitha mund të ketë qenë një lojë Rama-Basha. Për këtë arsye, ditët e fundit janë tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet mes kreut demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit ishte ideatori i djegies së mandateve dhe po ashtu gjithmonë ka kërkuar mosbindje civile dhe ka kërcënuar madje me jetë Ramën. Por Basha në protestat e fundit nuk i është përgjigjur aspak thirrjes së tij. Më 16 mars dhe në 2 protestat e tjera para Parlamentit, situata ka qenë mjaft e qetë, duke mos shënuar asnjë incident. Burime shumë të sigurta të gazetës në PD thanë se kjo gjë ka irrituar shumë ish-kryeministrin.
Mësohet se ai është përplasur me Bashën, duke i kërkuar sqarime se përse ka devijuar nga plani i mosbindjes civile. Sipas Berishës, tani po afron vera dhe nëse Rama nuk rrëzohet sa më shpejt, opozita do e humbasë mbështetjen popullore. Ai ka shtuar se në verë qytetarët ikin me pushime, është vapë dhe po ashtu ka shumë nga ata që merren me bujqësi dhe kjo do sjellë rrudhje të madhe të protestuesve.
Ai ja ka bërë të qartë Bashës se Rama nuk rrëzohet me protesta të qeta, por duhen revolta dhe mosbindje civile. Po ashtu, ka kërkuar që kjo të ndodhë pa hyrë vera, pasi në të kundërt i gjithë aksioni opozitar do dështojë. Mësohet se dhe njerëzit e tij në bazë kanë nisur përplasjet me të besuarit e Bashës.
Sipas tyre, kur u dogjën mandatet u premtua se do ketë revolta dhe mosbindje civile që të detyrohet Rama të largohet, por përveç 16 shkurtit, nuk ka pasur më asnjë ngjarje të tillë. Pra sinjalet janë se Berisha po tenton të marrë frenat e opozitës dhe të shtyjë qytetarët drejt përplasjeve.
Urdhrat e Bashës
Gazeta e tha pak ditë më parë se djegia e mandateve mund të jetë dhe një strategji e Ramës, e Bashës dhe e ndërkombëtarëve për të nxjerrë jashtë loje Berishën, Kryemadhin dhe LSI. Sipas burimeve, pas protestës së 16 shkurtit në adresë të Bashës kanë shkuar shumë mesazhe e telefonata nga vende të BE dhe nga SHBA, të cilët ja kanë bërë të ditur se nuk do tolerohen përplasjet dhe skenarët destabilizues.
Po ashtu faktet e dala për lidhje me rusët i kanë bërë më vigjilentë amerikanët, të cilat po ushtrojnë presion të vazhdueshëm që të ketë protesta të qeta dhe jo të dhunshme. I gjendur përballë këtij presioni, Basha është dorëzuar. Sipas burimeve, si për protestën e nesërme, ashtu dhe për atë të 13 prillit, Basha u ka dhënë udhëzim degëve që të mbledhin sa më shumë militantë. Ndryshe nga udhëzimi i 21 shkurtit ku deklarohej se do ketë mosbindje civile, tani flitet për protesta të qeta.
Kjo situatë duket se ka sjellë dhe lindjen e përplasjeve si brenda PD, po ashtu dhe në marrëdhëniet mes PD dhe LSI. Në protestën e së enjtes që lamë pas, Kryemadhi qëndronte larg Bashës. Po ashtu erdhi me vonesë në protestë. Berisha qëndroi shumë pak dhe u largua. Të gjitha këto tregojnë se kemi një ndarje të opozitës. Basha vijon të qëndrojë në linjën e tij perëndimore se nuk mund të ketë pushtet me dhunë.
Por Berisha dhe Kryemadhi e dinë se nuk mund të rrëzohet qeveria në këtë mënyrë dhe bëjnë presion për revolta. Berisha ja ka shprehur drejtpërdrejt Bashës, ndërsa LSI po rrit presionet përmes mediave pranë saj. Mbetet të shihet se çfarë do ndodhë, por sinjalet janë se Basha sërish po rrëzon skenarët e Berishës për revolta. /Kliti Topalli