Partizani është kampioni i ri i Shqipërisë. “Demat” mundën Teutën 2-0 në përballjen e javës së fundit dhe shtuan në galerinë e tyre trofeun e 17-të kampion në histori. Të kuqtë gëzuan në stadiumin e ri trofeun më të rëndësishëm në vend.
Në një edicion me shumë rivalitet, të kuqtë bënë detyrën në “Arenën e Demave” në përballjen e së hënës ndaj “Djemve të Detit”, duke arritur të rikthehen tek titulli pas 4 vitesh. Me 67 pikë të koleksionuar falë 20 fitoresh dhe 7 barazimesh, demat renditen në vendin e parë në kuotë të barabartë pikësh me Tiranën, por për shkak të ndeshjeve direkte të kuqtë mbajnë vendin e parë.
Në përballjet ndaj rivalëve bardheblu, Partizani mori 2 fitore, barazoi në 1 ndeshje dhe u mund në derbin e parë të këtij edicioni. Me 56 gola të shënuar Partizani e mbyll sezonini me sulmin më të mirë po aq sa dhe Tirana por me mbrojtjen më të mirë me vetëm 33 gola të pësuar në 36 javë.
Meritë dhe për Giovanni Colella, i cili bëhet i pari trajneri i huaj i Partizanit që arrin titullin me të kuqtë. Partizani kurorëzon një edicion me luhatje, por pa vënë në asnjë moment në dyshim pretendimin për titull.
Një edicion i suksesshëm në shumë drejtime, me klubin e kuq që në merkaton ne janarit bëri dy transferime historike, duke shitur për 1.4 milionë euro Xhuliano Skukën tek Metz në Francë e duke blerë Christian Mba për 180 mijë euro nga Trepça 89’.
Ndonëse në dimër u largua shënuesi më i mirë i skuadrës, sërish të kuqtë ia dolën që të arrijnë titullin kampion. Një titull që iu shijon akoma dhe më shumë, aq më tepër që arrihet ndaj rivalëve të përjetshëm të Tiranës, që rivalizuan deri në minutat e fundit për titullin kampion.
Partizani do të jetë përfaqësuesi i Shqipërisë në turin e parë të Champions League, për të tentuar që të ketë një aventurë sa më të suksesshme