Nuk kanë fund skandalet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pasi refuzoi shkarkimin e mbi 16 gjyqtarëve të kapur në shkelje të ligjit, dje janë zbardhur të tjera skandale për KLD e drejtuar nga Ilir Meta. Ka qenë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila gjatë një konference për shtyp bëri me dije se në mbledhjen e fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka miratuar një vendim jashtë rendit të ditës dhe i pa njoftuar më parë.
Gjonaj akuzoi trupën e KLD se i ka dhënë leje prindërore në mënyrë të fshehtë gjyqtarit Gjin Gjoni, me argumentin se është bërë baba dhe i duhet të udhëtojë drejt Gjermanisë atje ku jeton bashkëshortja e tij. “Në rendin e ditës së KLD, është shtuar dhe një çështje e pa njoftuar më parë, lidhur me një kërkesë të gjyqtarit Gjin Gjoni “për leje prindërore për një periudhë 2-vjeçare”. Kjo kërkesë e pranuar në mënyrë haptazi të paligjshme është miratuar me votim nga anëtarët prezent të KLD-së, çka e bën shumicën e këtij institucioni edhe njëherë tjetër autore të një vendimmarrje haptazi të paligjshme”, deklaroi ajo.
Më tej, Gjonaj akuzoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë se me këtë veprim ka rënë në zullumin e klientelizmit, duke bërë qoka. “ Duke përfshirë në rendin e ditës, në fund të mbledhjes shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarit Gjin Gjoni dhe duke vendosur miratimin e saj, me argumentin se është bërë me vajzë dhe do t’i duhet të bëjë shpesh vizita/udhëtime në shtetin gjerman, ku jeton familja e tij, KLD-ja është riafirmuar si mishërim i drejtësisë së vjetër klienteliste e të korruptuar”, u shpreh ajo. Po ashtu, Gjonaj vuri në dukje faktin se vendimi për gjyqtarin Gjoni është marrë në fshehtësi, ndërsa sipas saj, nuk është pasqyruar në faqen zyrtare të KLD-së dhe se janë shkelur procedurat nga institucioni i drejtuar nga Meta. “Këto veprime të anëtarëve të KLD-së janë në shkelje të rëndë të rregullave procedurale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Bazuar në legjislacionin në fuqi si dhe në praktikën e KLD, çdo kërkesë për përfshirjen e çështjeve shtesë në rendin e ditës, bëhet prezente, shqyrtohet dhe më pas votohet përpara se KLD-ja të nisë shqyrtimin e pikave të rendit të paracaktuar”, nënvizoi Gjonaj. Mirëpo, kjo përplase e fortë mes Qeverisë dhe Presidencës ka ardhur si pasojë e vendimit të KLD, pasi ishte Ilir Meta, ai që ka futur në rend dite këtë çështje.