Përsëritet pas një viti iniciativa e lavdërueshme e bamirësisë dhe solidaritetit e ndërmarrë nga sipërmarrës shqiptarë dhe profesionistë arbëreshë që veprojnë në Itali.
Shoqata Korabi e Bolonjës do të dhurojë për repartet e maternitetit të spitaleve të Kukësit dhe Vlorës dy inkubatorë të gjeneratës së fundit.
Pajisjet e çmuara që shpëtojnë jetë do të dorëzohen në dy iniciativa të veçanta nga Presidenti i shoqatës, Alberto Astrit Poti dhe anëtarët e Korabit, në duart e mjekëve dhe të personelit mjekësor të dy spitaleve.
Ceremonia e parë zyrtare do të mbahet të premten, më 6 shtator 2024, duke filluar nga ora 11:00, në repartin e maternitetit të spitalit rajonal të Kukësit në prani të, Kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Albert Bislim Halilaj, dhe shefit të repartit, dr. Sajmir Shehu.
Dhënia e dytë e donacionit do të zhvillohet të shtunën, më 7 shtator, në spitalin rajonal të Vlorës, gjithashtu duke filluar nga ora 11:00, në prani të Drejtorit të përgjithshëm të Qendrës kombëtare të urgjencës mjekësore, Skënder Brataj, Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, shefes së repartit, Bruna Mersini, dhe autoriteteve kryesore vendore.
Në ceremoni është ftuar të marrë pjesë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu. Të sjellësh lehtësim për ata që vuajnë ose janë në vështirësi është qëllimi kryesor i të gjithë anëtarëve të Korabit, të cilët përsërisin kështu të njëjtën iniciativë të ndërmarrë edhe vitin e kaluar, ku përfituan nga veprimi i solidaritetit civil spitalet e Shkodrës dhe Durrësit, të cilët morën dy inkubatorë të tjerë.
“Shoqata jonë,” deklaron Presidenti Poti, “përbëhet nga sipërmarrës të afirmuar shqiptarë që jetojnë në Itali prej 30 vitesh dhe nga profesionistë të shquar me origjinë arbëreshe, të cilët kanë vendosur të bashkohen për të vepruar së bashku me vullnetin për të ndjekur qëllime qytetare, solidare, kulturore dhe sociale. Për më tepër, si grup shoqatash, ne promovojmë dhe mbështesim krijimin e një rrjeti marrëdhëniesh miqësie dhe shkëmbimesh kulturore, shkencore dhe sociale midis Italisë dhe Shqipërisë, me qëllim zhvillimin dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy popujve.”
Ndër aktivitetet statutore të Korabit, qëllimi kryesor është padyshim ai i solidaritetit: anëtarët kushtojnë në fakt vëmendje të veçantë bamirësisë dhe nismave të ndihmës për njerëzit në nevojë dhe mbështetje për nevojat e kujdesit të qytetarëve shqiptarë që banojnë në Itali ose që duhet të udhëtojnë në Itali për nevoja të kujdesit që nuk është e mundur të plotësohen në Shqipëri, me vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.