Është një nga përfituesit më të mëdhenj i pasurive publike falë njohjes që ka me Edi Ramën, njeriun që ndan prej 13 vitesh Shqipërinë si plaçkë lufte me një rreth klientësh, sigurisht duket gostitur dhe mbyllur gojën me tendera, kulla dhe prona edhe dy kundërshtarëve të tij në teatrin politik.
Bëhet fjalë për Ilir Trebickën, ish baskebollisti që u kthye në oligark, falë miqësisë me kryeministrin Edi Rama që nga koha kur të dy kanë qenë të angazhuar me basketbollin.
4 milionë m2 prona publike në Poliçan
Një kompani e lidhur me emrin e Ilir Trebickës, X One, themeluar në vitin 2021 dhe me kapital vetëm 1 milionë lekë, mban rekord në Shipëri për sipërfaqen e tokës që ka marrë me qira për të ngritur biznesin e energjisë me fotovoltatike.
Përmes dy tendera fiktivë, me ofertë sa çmimi tavan dhe pa konkurrencë, X One ka marrë nga Bashkia Poliçan rreth 4 milionë metra katorë prona me qira për fotovoltatike, prona për të cilat do të paguajë 700 mijë euro në vit.
Së pari, në tender ka marrë pjesë vetëm kompania X One, edhe pse ka qindra kompani të interesuara për të investuar në fotovoltaike.
Së dyti, oferta fituese e kompanisë X One është sa çmimi dysheme i vendosur nga Bashkia Poliçan me në krye Adriatik Zotkaj, një peronazh i dënuar të paktën 4 herë me vendime të formës së prerë.
Së treti, kompania X One, e cila do të investojë miliona dhe ndoshta dhjetëra milionë euro, është themeluar në vitin 2021 dhe kapitali i saj është vetëm 1 milionë lekë.
Pas kompanisë X One, e cila ka marrë sipërfaqen më të madhe të pasurisë publike me qira për panele diellore, qëndrojnë Ilir Trebicka, Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj.
Rrjedhimisht, krahas 4 milionë m2 prona publike, Ilir Trebicka, Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj kanë marrë edhe leje nga shteti shqiptar për të investuar për një kapacitet të instaluar mijëra megavat, gati sa qindra kompani të tjera të marrë së bashku.
Kullë 40 kate te Parku i Liqenit në Tiranë
Në mbledhjen e datës 7 gusht të këtij viti, pra rreth 3 javë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye Edi Ramën, miratoi një ditë më parë lejen e zhvillmit për ndërtimin e një kulle të quajtur “Grand Park Skyline”, me vendndodhje në Rrugën “Adem Jashari”.
Kulla 40 kate do të ngrihet ngjitur me derën e Gardës së Republikës, ne vendin ku sot gjendet ndërtesa katër katëshe e Tirana Bank.
Kompania përfituese e lejes është pikërisht X One shpk me pronarë Ilir Trebicka, Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Mbetet i dyshimtë fakti se si një kompani me kapital 1 milionë lekë do investojë dhjetëra milionë euro për kullën dhe fotovoltaike. Gjithashtu, ka dyshime për përvetësim të sipërfaqeve toke pronë publike për ngritjen e kullës 40 kate si dhe për cënim të Parkut të Liqenit, zonë e mbrojtur.
800 hektarë tokë në Divjakë
Ilir Trebicka ka marrë në vitin 2018 rreth 800 hektarë prona publike në Divjakë për të ngritur një fermë, ndërsa 5 vite më vonë ka marrë leje për një impiant fotovoltaik, me kapacitet të instaluar 78.5 MW, në bashkëpunim me Shpëtim Osekun, Marin Metsel dhe Ilir Hoxhallarin. Ky i fundit është përfitues i dhjetëra milionë euro tendera publikë.
Pronën publike e ka përfituar përmes kompanisë Agro Iliria Group, me të të cilës kontrollon edhe kompanitë Agro Iliria Solar
dhe PELIKAN ENERGY.
Prona publike falas është përfituar me vendim Këshilliit të Investimeve Strategjike, me në krye Edi Ramën, pa garë dhe me paracaktim për shokun e tij Ilir Trebicka.
Edhe kjo dosje është për Altin Dumanin dhe SPAK, pasi plani i zhvillimit ishte për 800 hektarë, por ky eksperiment dështoi pas disa viteve pasi kulturat rezultuan jo të përshtatshme për kultivim në tokë të kripur.
Por në vitin 2020 kompania e fitoi statusin e investitorit strategjik duke shtuar tre kultura të reja të përshtatshme: Rrushin, dardhën dhe kivin. Kështu me anë të së njëjtit vendim u miratua edhe leja për ndërtimin e një agroturizmi brenda në fermë.
Më pas në zonën e përfituar nga shteti me 1€, Ilir Hoxhallari e Ilir Trebicka diversifikuan planin e tyre duke ndërtuar një impiant fotovoltaik për t’i shitur shtetit shqiptar energji. Pra, bënë eksperimente me pasurinë publike në Divjakë.
Ilir Trebicka, investitor strategjik, resort dhe vila në Dhërmi
Për shkak të njohjes me Ramën, Ilir Trebicka, përmes kompanisë “Drimadhe I & I” sh.p.k., ku është aksioner mazhoritar dhe kasioner në Minorancë Ilir Hoxhallari, ka marrë pesë vite më parë statusin e investitorit strategjik dhe leje për një fshat turistik në zonën e Dhërmiut.
Kompleksti turistik “Thymus” përmban 2 hotele dhe një fshat turistik me 38 vila dy-tre katëshe që po ndërtohet në Dhërmi.
Më vonë, Edi Rama vendosi t’i shtojë edhe 2,336 metra katrorë sipërfaqen e ndërtimit për mikun e tij Ilir Trebicka.
Vendimi për ndryshimin e projektit është marrë 5 vite pasi subjekti mori statusin e investitorit strategjik, në vitin 2019.
Këshilli Kombëtar i Territorit me një vendim të prillit të këtij viti, ka vendosur jo vetëm që investitori të ndryshojë projektin, por të miratojë edhe ndryshimin e zhvilluesit të tij.
Duke krahasuar planvendosjen e vitit 2019, kur Ilir Trebicka mori statusin e investitorit strategjik me kusht, me atë të vitit 2024 vihet re se ndryshime në numrin e kateve do të pësojnë dy hotelet, që do të konvertohet edhe në shtim të sipërfaqes ndërtimore.
Një tjetër ndryshim thelbësor është ai i zhvilluesit të këtij projekti. Nëse më parë Ilir Trebicka kishte marrë përsipër ndërtimin e “Hotel Chaonians Deluxe” një hotel me 4 yje, për një vlerë 5.5 mln euro, tashmë porositës dhe zhvillues do të jenë “Drimadhes I&I”, “Chaonian” Sh.p.k dhe Kristaq Duni.
Ajo që e bën të dyshimtë këtë lëvizje është fakti se Ilir Trebicka ia ka “shitur” vetes investimin strategjik, pasi ai zotëron 51% të kuotave të “Drimadhes”, ndërsa 49% zotërohen nga Ilir Hoxhallari. Ky i fundit zotëron 50% të aksioneve te kompania tjetër “Chaonian”.
Pavarësisht vendimit të KKT-së për ndryshimin e zhvilluesit, në Qendrën Kombëtare të Biznesit as Ilir Trebicka dhe as kompania “Drimadhes I&I”, nuk kanë depozituar deri më tani ndonjë dokument që të vërtetojë këtë transaksion.
Referuar adresës që lexohet në vulat e kompanive, mbi maketin e ndryshimeve të depozituar pranë KKT-se, të treja kompanitë “Drimadhes I&I”, “Chaonian” Sh.p.k dhe ajo projektuese “Trema” kanë të njëjtën adresë.
Roli i Ledia Tota
Letrat për resortetin e dyshimtë të Ilir Trebickës i ka kopsitur si gjithnjë Ledia Tota, e cila ka drejtuar Agjencinë e Zhvillimit të Territorit nga vitit 2015 deri në vitin 2023. Në të njëjtën kohë, zonja Tola ka qenë sekretare e përgjithshme e Këshillit Kombëtar të Territorit.
AZHT dhe KKT janë organet që miratojnë lejet për kulla dhe resorte nga Tirana në zonat bregdetare, lejet për hotele, vila, kompleks vilash, rezidenca, parqet fotovoltaike etj.
Ledia Tota është bashkëshortja e Besnik Leskajt, djali i ish deputetes së Partisë Socialiste, Valentina Leskaj.
Ledia Tota është bashkëshortja e Besnik Leskajt, djali i ish deputetes së Partisë Socialiste, Valentina Leskaj.
Besnik Leskaj, i cili ka në zotërim disa kompani projektimi, ndërtimi, mikrokredi, fotovoltaike etj., dyshohet ka projektuar kulla dhe resorte, me kompanitë e tij, për investitorë dhe oligarkë, ndërsa bashkëshortja e tij, Ledia Tota ka miratuar lejet në AZHT dhe KKT. Nëse SPAK do të administrojë këto dosje, do të zbulojë një skemë të llahtarshme korrupsioni.