Ilir Meta përfshirë më në fund edhe zyrtarisht Meta në debatit e rishpërthyer të “Detit” me Greqinë, në një pozicion të dukshëm opozitar.
Kreu i shtetit, që për mazhorancën luan rolin e liderit të kamufluar të opozitës, kërkon që Rama të sqarojë se si qëndron çështja me kërkesën greke – jo ndaj palës shqiptare – për zgjerim kufijsh detarë, e se ç’ka folur ai me kryeministrin Mitsotakis.
Edhe pse Rama ka ditë që thotë se nuk ka folur asgjë, se ka ngecje të negociatave për “Detin” që kur të djathtët erdhën në pushtet në Greqi, apo se kërkesa greke s’ka lidhje me Shqipërinë, Meta instiston me pyetjen diversive:
“Kërkoj informacion mbi komunikimin me kryeministrin grek apo zyrtarë të tjerë. Kërkoj informacion mbi qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare për çështjen e detit. Kërkojmë informacion për veprimet që do ndërmarrë qeveria shqiptare”.
Ky hap i kreut të shtetit, vjen pas ditësh zhurmë mbi “Detin”, ku opozita po diversionon me idenë se Rama “ka shitur detin”.
Por në një reagim të pak ditëve më parë, shefi i qeverisë thotë se kjo s’ka asnjë mundësi të ndodhë.
“Për kufijtë mes dy shteteve s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë. Nuk bëhen marrëveshje të fshehta për këtë punë, sepse s’kanë asnjë vlerë mbi detin e mbi tokën për sa kohë janë të fshehta.
Bëhen marrëveshje të negociuara me vite, të cilat emrin marrëveshje e marrin kur bëhen publike dhe vlerën si marrëveshje e marrin vetëm kur kalojnë provën e institucioneve kushtetuese të shtetit.
Prandaj marrëveshjet nuk merren vesh me telefonin e prishur të thashethemit të radhës, që shkumëzon në gojën e politikanëve pa atdhe apo në detin e internetit pa kufij, po vetëm kur shihen me sy, me lexim, bashkë me firmat e me vulat e tyre!
A keni parë ndonjë dokument të firmosur e të vulosur për këtë detin që paskam dhënë, shitur a falur unë? Jo nuk keni pare, sepse nuk ka dhe s’ka se si të ketë një të tillë. Se po të kishte do të dilte, po s’mund të dalë gjëkundi asnjë marrëveshje e tillë me firma e me vula, që unë nuk e di apo që unë mund ta mbështes, nëse cënon interesin kombëtar të Shqipërisë!
Kush e luan me ju këtë lojë do t’ju bëjë për budallenj, tallet paturpësisht me ndjenjat tuaja për të përfituar politikisht prej çoroditjes që synon t’ju shkaktojë, duke ju prekur ndjenjat”, argumenton i pari i qeverisë.
“Po shtoj këtu edhe një detaj teknik, por kuptimplotë. Grupi ynë negociator për çështjen e detit ka nevojë për ndryshime, pasi disa anëtarë të tij janë larguar nga pozicionet që mbulonin kur janë zgjedhur në grupin negociator. Këto ndryshime do të bëhen nëse do të rinisin negociatat dhe këto ndryshime nuk bëhen pa miratimin nga presidenti të anëtarëve të rinj – jashtë grupit negociator askush, as kryeministri, nuk negocion dot asgjë dhe nuk shet e as blen dot asnjë litër ujë deti.
E dyta, çfarëdo marrëveshje që arrihet në nivelin e grupit negociator, duhet të marrë miratimin e Presidentit, i cili ka thënë se marrëveshjen e mundshme do t’ia çojë Gjykatës Kushtetuese. Dhe e treta, marrëveshja që të marrë vlerë përfundimtare, shkon në parlament për të marrë vulën përfundimtare të Sovranit”, shkruan shefi i qeverisë.
Ndërkohë, edhe për pyetjet e tjera, sidomos atë në lidhje me Mitsotakisin, Rama e ka dhënë sqarimin.
“Qeveria jonë dhe qeveria greke nuk kanë biseduar asnjëherë dhe nuk kanë këmbyer asnjë opinion për këtë çështje, qyshse në krye të punëve në Greqi ka ardhur zoti Micotaqis. Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për të ashtuquajturin delimitim të ujërave mes Shqipërisë e Greqisë, i kemi zhvilluar me qeverinë e mëparshme greke dhe marrëveshja nuk është arritur të mbyllet, pavarësisht progresit të konsiderueshëm nga pika zero ku jemi rinisur pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, të asaj marrëveshjes së nënshkruar jo nga unë, po nga ata që sot po e mbrojnë detin nga unë”, theksoi Rama.